Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha kanë ndjekur nga afër sesionin e parë të trajnimeve me disa nga institucionet e administratës publike që kanë marrëdhënie direkte me sipërmarrjen dhe qytetarët.

Në këtë sesion të parë për t’u trajnuar ishin drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Inspektorati Qendror Teknik dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama e quajti kualifikimin e vazhdueshëm një vlerë të shtuar duke theksuar bindjen e besimit në këtë proces.

“Të gjithë ju që jeni këtu, jeni drejtuesit e asaj pjese të shtetit të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me biznesin. E asaj pjese të shtetit që për fat të keq, për arsye të traditës dhe jo prej fajit të asnjërit prej individëve, për shkak të sistemit që është ndërtuar dhe të natyrës së marrëdhënieve që janë krijuar dhe jo për faj të njërit apo të tjetrit, ka një qasje tërësisht të gabuar ndaj sipërmarrjes. Një qasje që ne duam ta ndryshojmë me çdo kusht. Nuk e krijon mirëqenien qeveria në një sistem si i yni, mirëqenien e krijon në radhë të parë biznesi; nuk i hap vendet e punës qeveria, vendet e punës i hap biznesi; nuk i rrit të ardhurat qeveria, të ardhurat i rrit biznesi. Në qoftë se nuk funksionon si skuadër e gjithë administrata në secilin sektor, nuk ka sukses”, deklaroi Rama.

E gjithë administrata publike është futur në një proces trajnimi për të rritur performancën. Trajnimet e administratës publike do të jenë të vazhdueshme për të mundësuar përballimin e sfidave në rrugën e integrimit të plotë të vendit.

Top Channel