
Ndonëse janë qytetarët më të ardhura më të ulëta në Ballkan, shqiptarët e
paguajnë energjinë elektrike me shtrenjtë se fqinjët e tyre.
Vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar në dokumentat bashkangjitur marrëveshjes me Qeverinë shqiptare pranon se çmimi i energjisë me pakicë në Shqipëri është ndër më të lartit në rajon, veç Kroacisë.
Sipas FMN-se aktualisht konsumatorët shqiptarë paguajnë rreth 12 cent te euros për kilovat/orë energji përfshirë dhe taksat. Në Bullgari dhe Mal të Zi çmimi është rreth 9 cent të euros, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë konsumatorët paguajnë edhe më pak se kaq rreth 8 cent të euros për çdo kilovat/orë energji. I vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët e paguajnë më shtrenjtë energjinë se në Shqipëri, sipas Fondit Monetar është Kroacia ku çmimi është rreth 13 cent të euros për kilovat/orë. Por, në Kroaci të ardhurat për frymë janë sipas Bankës Botërore 2.2 herë më të larta se sa në Shqipëri.
Pak ditë më parë Enti Rregullator i Energjisë paralajmëroi se do të rishikojë tarifat, për t’u përballur me krizën e thellë të sektorit. Por siç tregon dhe krahasimi i vetë FMN-së, sektori energjetik nuk është në krizë se shqiptarët e paguajnë lirë këtë mall. Por për një shkak tjetër, që lidhet me administrimin, siç e pranon edhe vetë Qeveria.
“Vendi humbet gati 200 milionë dollarë në vit nga vjedhjet e energjisë. Eshte nje shifer shume e larte”, tha disa ditë më parë ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.
Vetëm në 5 vjet vjedhjet dhe humbjet energjisë arrijnë në 1 miliard dollarë, sipas llogarive të vetë ministrit të Energjisë. Por ky nuk është shpërdorimi i vetëm. Së fundmi sistemi po përballet edhe me një tjetër abuzim. Atë të çmimeve të larta që vijnë nga kontratat me hidrocentralet private, të nënshkruara nga Qeveria e mëparshme. Edhe këto kosto paguhen po nga qytetarët, ndonëse jo në faturën e energjisë, por në një formë indirekte përmes rrënimit financiar të kompanisë KESH dhe subvencioneve të buxhetit.
Kjo eshte gjendja e sektorit. Miliarda dollarë vjedhje dhe shpërdorime, të cilat nëse do të ishin arkëtuar jo vetëm që nuk do të kërkonin rritjen pafund të tarifave për qytetarët, por mund të kishin krijuar hapësira për uljen e tyre. Një kaos abuzimi masiv, i cili çon në një pyetje: A është e drejtë që kostot e keqmenaxhimit të sektorit t’i ngarkohen gjithmonë qytetarëve korrekt, ashtu siç po paralajmërohet sërish?
Top Channel