F1, Domenicali: Ferrari ka shumë probleme

03/04/2014 00:00

Ferrari F14 T ka treguar në këtë fillimsezoni se është i besueshëm, por rendimenti i tij është shumë larg Mercedesit dhe Red Bullit. Këtë e tregon fakti që as Fernando Alonso dhe as Kimi Raikkonen nuk kanë arritur të ngjiten në podium në asnjë nga dy garat e para.

Shefi i skuderisë italiane, Stefano Domenicali, ka analizuar për formula1.com aktualitetin e “Kokëkuqes” duke thënë se makina ka shumë probleme të pazgjidhura.

“E dinim që duhet të përshtateshim me rregulloren e re dhe e dimë ku duhet të përmirësohemi. Duhet të punojmë me qetësi për të pasur një makinë më efikase, një motor më të mirë dhe një ekuilibër më të mirë mes energjisë elektrike dhe fuqisë së motorit tradicional. Duhet të përmirësohemi në të gjitha drejtimet”, tha Domenicali, i cili e ka të qartë se Mercedesi është makina më e mirë për momentin.

“U pa që në testimet parasezonale që do ishin përpara. Nuk habitemi nga rezultatet në Australi dhe Malajzi. Nëse ruajnë këtë ritëm, do të jetë e vështirë t’i kapim”, nënvizoi shefi i Ferrarit.

Top Channel