
Shenjat e një biznesi që ka marrë rrugën e falimentimit janë shumë të qarta për të mos rënë në sy, thotë sipërmarrësi kapitalist, Andis Harasani. Sot ka shumë punonjës që i përjetojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë këto shenja ogurzeza: u kërkohet të kryejnë më shumë detyra pa rritje rroge, të pranojnë ulje të ndjeshme të shpërblimeve, të shohin një drejtues të pushohet nga puna, etj. Një kompani që ecën keq nuk mund t’i shpëtojë fundosjes përgjithnjë. Një biznes që vazhdon të dalë me humbje tremujor pas tremujori, shpesh mbyllet brenda pak kohësh në mënyrë përfundimtare. Por të qenit në një periudhe të dobët nuk ka pse të jetë fundi për çdo kompani.
Me drejtimin dhe krerët e duhur, bizneset kanë mundur ta shmangin falimentimin e të rikthehen si institucione të spikatura.
“Shumë njerëz mendojnë se shpallja e falimentimit është zgjidhja e vetme e problemeve financiare, por e vërteta është se ka gjithnjë mënyra për ta kthyer fatin e një kompanie, nëse je i gatshëm të bësh ndryshime dhe të punosh fort. Duhet të kesh vullnetin për t’u angazhuar plotësisht”, thotë Andis Harasani.
Vetë-reflektimi është një pikënisje shumë e mirë. Kur një plan biznesi nuk është frytdhënës, Nolo.com i nxit pronarët të “zhvillojnë dhe të vënë në zbatim një plan realist që mund ta bëjë biznesin të mbijetojë.” Krerët e kompanisë në vështirësi duhet ta shohin imtësisht strukturën e biznesit. Kështu mund të gjejnë zona që kanë nevojë të madhe për përmirësime.
Shkurtimi i shpenzimeve është një mënyrë e lehtë për ta filluar një ndryshim fitimprurës. Kjo mund t’i detyrojë pronarët të marrin vendime të vështira, si të pakësojnë shpërblimet e stafit ose të shkurtojnë disa vende pune. Por si pronarë, ata kanë përgjegjësinë të garantojnë që edhe vendimet më të vështira do të vihen në zbatim. Duhet bërë e mundur që të rishikohen të gjitha shpenzimet e kompanisë, e për këtë ndihmon kombinimi i të gjithë informacionit në një tabelë të vetme “spreadsheet”.
Kuptoni se cilët janë sektorët më fitimprurës e më të suksesshëm të kompanisë, dhe shikoni mbylljen e sektorëve që kanë vlera minimale. Shpesh, një mënyrë e lehtë është kursimi nëpërmjet materialeve të zyrave. Përpiquni të negocioni çmimet me shitësit e materialeve. Shumë kompani ia dalin të kenë ulje, pasi shitësit s’do të donin që paratë e klientit t’u shkonin konkurrentëve.
Ndonjëherë, gjithçka që duhet për një kompani është një rivënie rregulli. Menaxherët mund t’i rendisin më mirë përgjegjësitë duke e vënë stafin të trajnojnë njëri-tjetrin. Kjo e bën ekipin të komunikojë më qartë dhe puna rrjedh më mirë, sidomos në raste kur dikush mungon për arsye shëndetësore ose për leje të zakonshme.
Konsumatorët e sotëm janë më të zgjuar se kurrë. Përdorimi i internetit u jep një botë njohurish para se të kryejnë blerjen, mjafton të bëjnë kërkime. Për shkak se e kanë teknologjinë gjithnjë përpara syve, ata mund të bëjnë krahasime të kompanive para se të vendosin. Sigurohuni që faqja e kompanisë në internet t’i paraqesë vlerat siç duhet. Përdorni mjetet e duhura në rrjetet shoqërore, pasi ka kompani që gabojnë me angazhimin e tepërt në to. Për shembull, një zyre për vlerësime mjekësore nuk mund t’i bëjë shumë punë një llogari në Pinterest.
Rrjete shoqërore si Facebook, Twitter apo Instagram përdoren për të synuar një publik të zgjedhur, për të parë për punonjës të mundshëm dhe për t’i kursyer kompanisë kohë dhe parà. Këto rrjete krijojnë lidhje shumë më të gjera me publikun se metodat tradicionale të marketingut.
Një pronar biznesi duhet të përpiqet gjithnjë të krijojë dhe të ofrojë mallra dhe shërbime të vlefshme. Nëse vlera bie, e gjithë kompania do të pësojë rënie. Kompanitë e suksesshme ofrojnë mallra dhe shërbime që përmirësojnë jetën e konsumatorëve që ata synojnë. Pa vlerën, konsumatorët do të kalojnë tek një biznes që ua plotëson nevojat më mirë.
“Sigurohuni që kompania juaj të përqendrohet në nevojat specifike të konsumatorit të synuar. Kjo duhet të jetë gjithnjë përparësi kryesore, pasi e forcon shumë besnikërinë e klientit, shton gjasat që të kthehen sërish për shërbimin tuaj, dhe e rrit suksesin e kompanisë në mënyrë të vazhdueshme”, thotë Andis Harasani.
Një biznes i suksesshëm është i aftë të ofrojë pa ndërprerje një mall ose shërbim që bie në sy nga konkurrenca. Me të hyrë në treg, Netflix, kompania e transmetimit të videove me pagesë nëpërmjet internetit, krijoi një ndryshim të menjëhershëm për të gjithë industrinë e videove për përdorim shtëpiak. Ditët kur njerëzit duhej të dilnin nga shtëpia për të marrë një film me qira u bënë papritur diçka e të shkuarës. Pasi kreu marrëveshje ekskluzive me studio filmike të njohura dhe të pavarura , Netflix nisi t’u ofrojë abonentëve me qindra mijëra filma e shfaqje televizive që ishin vetëm një klikim larg, me një librari videosh që rritej në mënyrë të vazhdueshme. Teksa transmetimi i videove në internet vazhdon të evoluojë, Netflix do të detyrohet të evoluojë me të njëjtin hap, nëse do të mbetet një lokomotivë e kësaj industrie”, tha Harasani.
Edhe kompanitë më të mëdha i afrohen rrezikut për të dalë nga tregu. Nëse strategjia e tanishme nuk funksionon, provoje përsëri. Youtube nuk ka qenë gjithmonë mbreti i videove në internet. Plani fillestar i kompanisë ishte një ndërtim ende në themele. Pasi Google e bleu shërbimin për 1.65 miliardë dollarë në vitin 2006, plani i kompanisë u kopsit mirë. Youtube nisi fushata agresive për të mbyllur marrëveshje me krijues të mëdhenj materialesh filmike, si NBC dhe CBS. Nga viti 2008 në vitin 2010, te ardhurat e Youtube nga reklamat u rritën nga 200 milion dollarë në 1 miliard dollarë, sipas raportit të Mashable për vitin 2010.
Ndodh shpesh që pronarët e bizneseve të bien prè e panikut pasi shohin shenja vështirësish, por ky është gabimi i parë dhe shpesh më shkatërruesi. Andis Harasani ka qenë pjesë e rimëkëmbjes së shumë kompanive, duke përdorur strategjinë e duhur: një provë kjo për të gjithë drejtuesit e kompanive që përballja e problemeve në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të sjellë arritje të spikatura dhe zhvillim të biznesit.
Burimi: examiner.com
Top Channel