Të dielën në Top Channel u përcoll një lajm për një projektligj të ri, që po përgatitet nga Ministria e Bujqësisë, që synon të ndryshojë skemën e subvencionimit ndaj fermerëve, ndaj bujqësisë, por në mënyrë të veçantë për të gjithë ata fermerë që shesin frutat dhe perimet, të cilët sipas kësaj skeme do t’i shesin ato nëpër pika të caktuara grumbullimi dhe në bazë të kësaj fature ata do të subvencionohen nga shteti me 15% të vlerës së shitjes.
Për të diskutuar mbi këtë iniciativë më të fundit të qeverisë, në studion e Top Channel për Revistën televizive të Mbrëmjes ka qenë i ftuar zv/ministri i Bujqësisë, zoti Alban Zusi.
Pandi Gjata: Për të folur për këtë skemë të re, apo vendim, a mund të na shpjegoni se si do të ndodhë kjo procedurë në mbështetje të fermerëve?
Alban Zusi: Ashtu siç është shpjeguar thjeshtësisht në VKM, procedura qëndron në faktin që produktet bujqësore të hedhura në treg, jo vetëm fruta-perime, do të mbështeten nga Ministria e Bujqësisë në momentin që ato hidhen në treg dhe bëhet dokumentimi i kësaj. Dalim kështu nga skemat e mëparshme të mbështetjes në fazën e prodhimit, apo atë fillestare, që tregoi këto 6 vjet se nuk ishte efektive dhe kjo për disa arsye. Së pari, nuk arriti dot ta formalizojë këtë treg, së dyti nuk arriti të na krijojë të dhëna statistikore për prodhimin bujqësor, së treti nuk arriti dot të hapë tregjet e eksporteve, së katërti nuk arriti të japë garanci për sigurinë ushqimore të produkteve, qoftë për konsumatorin vendas, ashtu dhe për eksportuesin. Janë një sërë problemesh, që këto skemat e mbështetjes së fermerëve në fazat fillestare nuk treguan efektshmëri. Nga ana tjetër nuk kishte një monitorim real të të ardhurave të eficencës të këtyre fondeve. Pra nëse jepeshin “x” fonde, sa fitoheshin? Sa ishte rritja që gjeneronin këto fonde? Ndërkohë që skemat e reja të propozuara nga ne kanë në fokus në radhë të parë garantimin e sigurisë ushqimore të qytetarëve, e cila nga të gjitha sondazhet që ne kemi realizuar na rezulton që të jetë shqetësimi kryesor i konsumatorit. E them këtë sepse në momentin e marrjes së subvencionit, pas dorëzimit, subjektet duhet të fillojnë të demonstrojnë se kanë edhe një certifikatë fitosanitare për produktet e tyre vegjetale, apo një certifikatë veterinare për produktet e tyre shtazore.
Pandi Gjata: Cilat janë efektet që kjo nismë e qeverisë do të sjellë dhe cilat janë përfitimet për fermerët?
Alban Zusi: Kjo është një skemë “fito, fito, fito”, në të cilën fitojnë fermerët, sepse do të rimbursohen dhe në njëfarë mënyre të gjitha detyrimet e tyre do të mbulohen nga skemat tona të mbështetjes dhe disa nxitje që qeveria ka ndërmend t’i japë fermerit si për inputet etj., që merren përmes kompensimit në momentin e dorëzimit. Pra fermeri, nga ky proces i formalizimit nuk do të paguajë në njëfarë mënyre taksat, të cilat i kompensohen. Nga ana tjetër do të krijohen tregje më të sigurta e të garantuara për marrjen e produkteve të tyre. Kjo masë po shoqërohet në fakt edhe me elementë të tjerë, siç është përmirësimi i ligjit për TVSH-në, që do të bëjë që produkti i tyre të jetë më i tërhequr nga grumbulluesit, tregtarët, industrialistët. Elementi tjetër do të jetë krijimi i më shumë hapësirave për eksport për produktet shqiptare. Pra do të punohet si për tregun e brendshëm, ashtu dhe për atë të jashtëm. Ne këtë masë kemi ndërmend ta shoqërojmë edhe me elemente që kanë të bëjnë me sigurinë e produkteve, me kontrollin e mbetjeve të pesticideve dhe herbicideve te produktet vegjetale, apo të hormoneve e antibiotikëve në produktet e tjera. Thjesht do të fillojmë t’u japim më tepër garanci eksportuesve. Duke krijuar më pas kanale më profesionale e të përqendruara të flukseve të produkteve bujqësore, natyrisht që tregu i prodhimit bujqësor do të jetë shumë më atraktiv për blerësit e huaj. Ne presim që përmes rritjes së kësaj tërheqjeje për tregjet tona, të fillojmë të tërheqim blerës europianë e perëndimorë, sepse sot për sot produktet tona eksportohen vetëm në vendet e lindjes. Duke krijuar tregje më të qendrueshme, është krejtësisht e pritshme – madje që tani kemi kërkesa të importuesve italianë, austriakë dhe gjermanë, që kanë nevojë për produktet tona, por nuk dinë se ku t’i marrin, sepse ne nuk kemi qendra grumbullimi.
Pandi Gjata: Sa qendra parashikohen të ngrihen, apo kjo është në varësi të zonave?
Alban Zusi: Kjo është në varësi të tregut, është tregu që e përcakton në momentin që ky biznes do të jetë me interes. Ne po përpiqemi pikërisht për të krijuar kushtet për t’u bërë treg, sepse në këto 24 vjet nuk kemi mundur asnjëherë ta krijojmë tregun e produkteve bujqësore. Një treg të mirëfilltë ku produkti do të dorëzohet nga prodhuesi dhe do të tërhiqet nga blerësi apo eksportuesi. Ne kemi një situatë shumë paradoksale. Fermerët tanë i kemi parë shpesh herë të dalin në media e të ankohen se kanë hedhur produkte, sepse nuk dinë ku t’i çojnë, ndërkohë që për të njëjtat produkte ne kemi kërkesë jo vetëm nga jashtë, por edhe nga industria jonë vendase. Po përmend vetëm rastin e qepëve të Korçës, që tashmë është bërë një rutinë çdo dy vjet, që fermerët korçarë t’i hedhin në lumin e Devollit, në një kohë që mijëra tonelata importohen nga Kina, dhe kjo ndodh sepse nuk kemi një treg që të lidhë fermerin me industrialistin.
Pandi Gjata: Me çmimin, a mendoni se do të ketë ndonjë problem kur të krijohen këto pika grumbullimi? A mund ta diktojnë çmimin e shitjes këto pika grumbullimi?
Alban Zusi: Bujqësia është shumë e vështirë që të krijosh të tilla lloj monopolesh. Ky është edhe meraku jonë, jo vetëm i juaji. Por, tregu është i hapur edhe për krijuesit e qendrave të grumbullimit, ashtu si dhe për një rrjet supermarketesh, edhe një supermarket mund të krijojë një pikë grumbullimi të tijën. Në momentin që pika e grumbullimit të rezultojë si një biznes interesant ka shumë pritshmëri që në këtë biznes të futen edhe industrialistë të tjerë, ndoshta edhe ndërtues. Ky mund të jetë shqetësimi i fundit me të cilin mund të përballemi, pasi çdokush do të jetë i lirë të hapë pikën e vet të grumbullimit, në momentin që do të shohë se tregu ka një mungesë.
Pandi Gjata: Përveç këtij stimuli, pra mbështetja e fermerëve me afro 15% të asaj që ata do të shesin, që do të jetë me parà në dorë sa për ta thjeshtëzuar për ndjekësit, cilat janë disa prej iniciativave të tjera, që Ministria e Bujqësisë ka për të stimuluar dhe mbështetur fermerin?
Alban Zusi: Kemi përfshirë edhe iniciativa për grumbullimin e mishit. Nëse do të dërgohet në thertore do të ketë një nxitës tjetër të veçantë, si për bagëtitë e imta, për gjedhin, ashtu dhe për derrin. Edhe këtë e bëjmë sepse duam të krijojmë treg. Po marr një rast konkret. Ne kemi një stok prej rreth 2,5 milionë bagëtish të imta – rast që do të donim ta mbështesnim më tepër, duke qenë se këto kafshë janë burimi kryesor i të ardhurave në zonat malore – nga të cilat nuk eksportojmë asnjë jashtë. Ndërkohë që Maqedonia, që ka një stok prej rreth 500-600 mijë bagëtish të imta, eksporton rreth 100-200 mijë bagëti të imta në vit. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse kanë të garantuar sistemin e gjurmueshmërisë dhe të sigurisë ushqimore. Bagëtia që në momentin e lindjes matrikulohet dhe ka një pasaportë të vetën. Dhe, së dyti, kanë thertore të përqendruara, ku një kompani e huaj mund të shkojë të porosisë 100 mijë krerë. Tregu është i garantuar. Ndërkohë, në Shqipëri ne nuk mundemi të garantojmë këtë zinxhir. Nuk mund t’i japim një blerësi të huaj bagëti që janë matrikuluara dhe të shoqëruara me certifikatë apo pasaportë lindjeje. Së dyti, asnjë thertore në Shqipëri nuk ther më shumë se 20-40 bagëti të imta në ditë, ndërkohë që për të eksportuar me 1 kamion duhen të paktën 2 mijë bagëti. Ne kemi në fakt importues italianë apo arabë, në rastin konkret Europa për Krishtlindje dhe Arabia për Bajram, që kërkojnë nga 1 milion në 2 milionë krerë, ndërkohë që fermerët tanë nuk mund të shesin asgjë, sepse nuk ekziston tregu dhe gjithçka është informale. Madje gjithçka është jashtë standardeve të sigurisë ushqimore, jo se janë të pasigurta, por dokumentimi është i paplotë. Atëherë me këto lloj masash që synojmë të zbatojmë, duke krijuar qendrat e thertoreve, ne duam pikërisht të krijojmë tregun, i cili bën presion për të respektuar standardet, ndërkohë që përqendrimi bën të mundur edhe kontrollin nëpërmjet inspektorëve tanë.
Top Channel