Ibra: PSG-ja, Chelsea i para 10 viteve

01/04/2014 00:00

Zlatan Ibrahimovic deklaroi se Chelsea, rivali i PSG-së në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, është favorit për të kaluar në fazën tjetër pasi ka më shumë eksperiencë.

“Ne po zhvillojmë një sezon fantastik dhe gjithçka që do të arrijmë duke nisur nga tani, do të jetë një plus. E përballojmë këtë çerekfinale duke e ditur se nuk kemi asgjë për të humbur. Kemi vetëm 2 vite që përgatitemi për objektiva të mëdha, ndërsa Chelsea ka 10”, tha sulmuesi suedez i klubit francez.

“Jemi si Chelsea i para 10 viteve, kur i erdhi një pronar i ri. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe të tjerë si Verrati të cilët janë shumë të talentuar, por kanë nevojë të mësohen me ndeshje si kjo”, shtoi 32-vjeçari.

Ibra theksoi se PSG-ja është përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar, kur u eliminuan në çerekfinale nga Barcelona.

“Atëherë, gjithçka ishte e re për ne. Kemi bërë hapa përpara, njihemi më mirë dhe jemi përforcuar. Mendoj se kemi një lojë kolektive më të mirë”, tha Ibra.

Top Channel