
Anësori i Real Madrid, Gareth Bale, beson se ekipi i tij e ka marrë veten pas dy humbjeve radhazi në kampionat, teksa madrilenët synojnë të marrin hak ndaj Borussia Dortmund, pas asaj disfate të shkaktuar në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar në Champions.
Bale shënoi një dygolësh në fitoren 5-0 të së shtunës ndaj Rayo Vallecano-s, ndërkohë që Real vinte nga dy humbjet me Barcelonën dhe Sevilla-n, e që tashmë gjenden në vendin e 3-të të La Liga-s, 3 pikë më pak se kryesuesit e Atletico Madrid.
Gjithsesi, dueli për çerekfinalet e Champions-it kundër ekipit gjerman ka shtuar oreksin për uellsianin, i cili pranon se janë pikërisht këto lloj ndeshjesh, që e detyruan atë të largohej nga Tottenham Hotspur verën e vitit të kaluar, për t’u bashkuar me madrilenët.
“Mendoj se ishte e rëndësishme të bënim kthesën në kampionat dhe tashmë jemi kthyer sërish në rrugën e duhur. Sa i përket Champions-it, jemi tërësisht të fokusuar për takimin me Dortmund, një ndeshje në të cilën dëshiron të luajë çdo futbollist, pasi janë emocione të tjera ato që shijon në ndeshje të mëdha si kjo me gjermanët. Shpresojmë që të japim më të mirën tonë”, tha Bale.
Bale do të jetë sërish në krah të Cristiano Ronaldo-s dhe Karim Benzema, në vijën e parë të sulmit të frikshëm të Real Madrid, ndërkohë që ylli portugez do të synojë të barazojë rekordin e Leo Messi-t me 14 gola në një sezon të Champions-it. Trajneri i “merengues”-ve, Carlo Ancelotti, do të jetë i detyruar të bëjë 3 ndryshime në formacion, me Casillas, Marcelo dhe Modric, që do të duhet të zëvendësojnë Lopez, Coentrao dhe Illarramendi.
Dortmund u kthye në një “mace të zezë” për Madridin sezonin e kaluar, kur dhe u përplasën plot katër herë për Champions-in, përballje nga të cilat rezultuan më të suksesshëm gjermanët.
Ekipi i Jurgen Klopp siguroi 4 pikë në ndeshjet e grupit, përpara se të eliminonin 9 herë kampionët e Europës nga gjysmëfinalet, me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Gjithsesi, Klopp do të duhet të bëjë mirë llogaritë me përzgjedhjen e formacionit, pasi gjermanët janë goditur keq nga dëmtimet e lojtarëve.
Subotic, Schmelzer, Blaszczykowski, Gundogan dhe Sven Bender janë të dëmtuar, ndërsa kryegolashënuesi Lewandowski, që shënoi plot 4 gola në takimin e parë të gjysmëfinaleve të vjetshme ndaj Realit, është i pezulluar.
Top Channel