Shkatërrimi i ndërtimeve pa leje dhe ‘keqardhja’ antishtet e Berishës

31/03/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Disa miq që po bëjnë një ekskursion treditor turistik
me autobus deri në Kroaci, më kanë dërguar ca mesazhe me përshtypjet e
tyre. Përshtypja e parë qe: Sapo dolëm nga Shqipëria dhe hymë në Mal të
Zi mbaroi mjedisi i ndotur nga plehrat!

Dhe pastaj vijuan përshtypjet dhe fotot nga Kroacia: Kudo pastërti. Qytete, rrugë, brigje të pastra plazhesh dhe mbi të gjitha, askund kaos ndërtimesh. Mesazhe dhe pamje që të bëjnë të të dhembë shpirti kur i krahason me kaosin dhe pisllëkun në të cilat janë zhytur natyra dhe qytetet e Atdheut tonë. Dhe paralel me këto mesazhe nga jashtë Shqipërisë, lexova edhe mesazhin që Sali Berisha kishte hedhur në Facebook ku shprehte “keqardhjen” për “horrorin” e dhunës që policia po ushtronte mbi fëmijë, gra, pleq e të rritur, ndërsa përpiqej të shkatërronte një pikë karburanti të ndërtuar pa leje diku në Mallakastër.

***

Si edhe jo pak herë të tjera, i etur për të ngjallur pakënaqësi ndaj qeverisë “Rama”, Berisha po përpiqet të mashtrojë opinionin (a nuk gënjeu kështu edhe për thikat me helm dhe çadrat pistoletë më 21 janar?) duke deklaruar se banorët po mbronin një “banesë” në proces legalizimi. Por sikundër e hedh poshtë edhe kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), ndërtimi në fjalë ishte jo një banesë por një pikë karburanti, ishte pa leje dhe njerëzit ishin lajmëruar tri ditë para për prishjen e tij. Dhe nuk është faji i policisë që këta njerëz që kanë ndërtuar në shkelje të ligjit, nxjerrin gratë dhe fëmijët për t’i përdorur si mburojë për veprën e tyre të paligjshme. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se, ndryshe nga ç’shkarravit Berisha, në videot e incidentit nuk duket që të përdoret dhunë mbi gratë apo fëmijët. Shihet se është ushtruar dhunë vetëm mbi ndonjë burrë që këmbëngul të pengojë aksionin e INUK. Dhe nuk mund të mos pyesësh: Ku ishte “humanizmi” i këtij politikani (që sot “tmerrohet” nga “horrori” i shkopinjve të gomës) më 21 janar kur gardistët e tij vranë me plumba luftarakë 4 protestues mu para hundës së tij?! Vështirë të gjesh etalon më vulgar të hipokrizisë antihumane të maskuar me “humanizëm”.

***

Nuk ka asnjë dyshim që njerëzit e përfshirë në konflikt me policinë dhe INUK janë, në një lloj mënyre, viktima. Viktima të vetvetes, në radhë të parë, por edhe të një qeverisjeje, pushteti dhe politike të papërgjegjshme që në vend se të parandalonte njerëzit të shkelin ligjin, i nxiti ata ta thyejnë atë duke i premtuar edhe “legalizimin”. Legalizimi që ndodh sot është, në thelb, kthimi i ndërtimeve të paligjshme të toleruara nga qeveria, në të ligjshme. Këto ndërtime të paligjshme kanë nisur në qeverisjen e parë të Berishës. Por edhe në qeverisjen e dytë të tij, për ta pafundësuar pushtetin e tij, Berisha ka qenë i gatshëm të darovisë votuesit me ndërtime pa leje duke sakrifikuar ligjin dhe të drejtën, shtetin për hir të pushtetit. Një proces dhe reaksion zinxhir që ka vazhduar me ritme galopante për 8 vjet rresht duke bërë që Shqipëria, territori i saj, të mbushet me ndërtime pa leje dhe kaotike si askund në botë. Dhe ky politikan, kryepërgjegjës për këtë keqqeverisje që na bën të skuqemi kur krahasojmë rezultatet e saj katastrofike për mjedisin me gjendjen në shtetet rreth e rrotull nesh, nuk ka turp të dalë në mbrojtje të viktimave kundër ligjit. Flet edhe për Kushtetutën ky armik numër 1 i saj!

 

***

Berisha nuk ka përtuar asnjëherë që të kënaqë “popullin” me favore në kurriz të ligjit sa kohë këto i shërbenin për të qëndruar në pushtet. Gjatë qeverisjes së tij të parë mbylli sytë, ndërsa piramidat financiare gllabëronin paratë e shqiptarëve. Madje pengoi “me ligj” edhe mbylljen në kohë të tyre, i vetëdijshëm se interesat e larta që përfitonin njerëzit nga piramidat, harmonizoheshin bukur me sloganin e PD “Me ne fitojnë të gjithë”! Madje i nxiti shqiptarët të investonin në piramida paratë “më të pastra në botë”. Dhe kur piramidat ranë dhe shqiptarët humbën paratë, ju tha atyre: vetë e patët fajin! Gjatë qeverisjes së tij të dytë, bënte sikur nuk dinte gjë për punishten e Gërdecit ku demontonin barut deri edhe fëmijë. Dhe kur baruti fitimprurës për të afërmit e tij hodhi në erë burra, gra, fëmijë e pleq, vinte vërdallë gropës, këtij varri masiv, duke shprehur keqardhje për viktimat që vetëqeverisja e tij e korruptuar, i kish shtyrë në atë gropë.

***

Bëmat e populizmit të tij antishtet janë pa fund. Si një Cezar i vërtetë, që për t’i shndërruar legjionarët në votues të pushtetit të tij ju falte bukë dhe tokë, Berisha nxiti migrimin masiv dhe pa asnjë rregull të njerëzve nga zonat fshatare drejt qyteteve, duke toleruar ndërtimet pa leje dhe duke i shndërruar këto të fundit në një piramidë gjigande paligjshmërie. Liria e lëvizjes? Ajo është e drejtë e gjithkujt. Por që nuk të jep të drejtën të okuposh tokën dhe pronën që nuk është e jotja, tokën dhe pronën e tjetrit! Por Berisha ia arriti qëllimit. Ai ka sot rreth qyteteve më të mëdha elektorate të qëndrueshme. Dikur fshatarët, pas reformës agrare komuniste thoshin për Enver Hoxhën: Komandanti na bëri me tokë! Dhe po të kujtoheni pak, këta fshatarë, për shkak të mirënjohjes për Enverin, ishin të fundit që e braktisën diktaturën. Aq sa pas zgjedhjeve të para pluraliste disa huliganë “demokratë”, ua shkelën me këmbë preshin dhe perimet ca fshatarëve që kishin dalë në tregun e Tiranës pasi kishin votuar për PPSH-në. Sot, jo pak nga bijtë e nipat e këtyre fshatarëve thonë: Berisha na bëri me shtëpi! Edhe pse ky ua premtoi legalizimin, por nuk ua realizoi, duke e lënë si një plagë të hapur për qeverinë e sotme. Sepse duke toleruar ndërtimet pa leje, Berisha bëri “reformën agrare” në qytet. Ndaj dhe shumë nga ata që kanë përfituar prej “reformës” do të jenë të fundit që do t’i kthejnë Berishës shpinën pa kuptuar se, bashkë me shtetin e tyre, janë viktima të “bamirësisë” së tij.

***

I ka nxitur njerëzit të zhyten në rrugën e paligjshmërisë dhe tani që ligji kërkon të rivendoset, jep alarmin “për shkeljen e të drejtave të njeriut” ky autokrat që nuk kupton se themeli i dhunimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, është t’i nxitësh ata të shkelin ligjin dhe pastaj t’i rezistojnë ligjit. Ka toleruar një epidemi ndërtimesh pa leje që shkatërrojnë dhe kërkon të pengojë disa shkatërrime ndërtimesh pa lehje që, në fakt, i shërbejnë ndërtimit. Ndërtimit të shtetit në radhë të parë. Kërkon të përdorë viktimat e antiligjit që vetë ka toleruar kundër ligjit. Ngjason tamam me një terrorist që pasi ka kryer veprën kriminale, nxjerr përpara gratë dhe fëmijët për t’u mbrojtur nga ligji që e kërcënon!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA