Rama-Merkel, të martën takimi

31/03/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur të hënën në Berlin për një vizitë zyrtare. Takimi më i rëndësishëm i axhendës së kryeministrit është ai i së martës me kancelaren Angela Merkel, me të cilën më pas do të ketë edhe një konferencë shtypi.

E dërguara e Top Channel në Berlin, gazetarja Rovena Moçka raporton se shefi i qeverisë shqiptare dhe delegacioni i tij do të priten me nderime të larta protokollare.

Takimi me kancelaren Merkel do të nisë me një ceremoni ushtarake, për të vijuar me takimin mes dy delegacioneve dhe me drekën e punës. Më pas do të jetë dhe konferenca e shtypit.

Kjo mund të konsiderohet vizita më e rëndësishme e kryeministrit Rama në karierën e tij. Gjatë saj ai do të takojë shefin e Bundestagut, ministrin e Financave dhe zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, kjo vizitë vjen para se Shqipëria të testohet sërish në qershor në Bruksel për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjermania ishte një nga ato vende që në dhjetor të vitit të kaluar kërkoi shtyrjen e vendimit të statusit për në qershor. Në takimin Rama-Merkel do të shihet edhe se cila do të jetë qasja e Gjermanisë për vendimin e qershorit.

Vizitën e tij në Berlin po e ndjek kolegia Rovena Moçka, me të cilën është zhvilluar një bisedë e shkurtër telefonike gjatë Revistës televizive të Mbrëmjes.

Pandi Gjata: Cila është axhenda e kryeministrit Rama në Berlin, takimet e të cilit nisin pas pak orësh?

Rovena Moçka: Siç e thatë edhe ju, kjo është vizita më e rëndësishme e zotit Rama, që kur ka marrë detyrën e kryeministrit të vendit, teksa nga Gjermania është organizuar pritjen më të lartë me protokoll, siç shteti gjerman organizon në vizitat e një kreu qeverie, në rastin konkret zoti Rama. Duhet theksuar se një vizitë e tillë e një kryeministri shqiptar në Gjermani zhvillohet pas më shumë se 1 dekade. Takimet e zotit Rama me krerët më të lartë të shtetit gjerman do të nisin pas orës 11:00 të së martës, ku takimi i parë zyrtar do të jetë me Kancelaren gjermane Angela Merkel, pas të cilës do të organizohet edhe dreka mes delegacioneve respektive, dhe më tej do të jepet edhe konferenca për shtyp. Kryeministri Edi Rama dhe Kancelarja Angela Merkel do të lejojnë edhe pyetje nga gazetarët, ku peshën kryesore pritet ta ketë çështja e statusit, pasi Dhjetorin e kaluar Gjermania ishte mes 5 shteteve që i thanë “Jo” statusit kandidat për Shqipërinë në BE. Më tej do të ketë edhe takime me krerët më të lartë të Bundestagut gjerman, e në vazhdim kryeministri Rama pritet të marrë fjalën në Komisionin e Jashtëm, aty ku do të merret edhe një vendim për përcaktimin e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Qershor.

Pandi Gjata: Çfarë rëndësie ka kjo vizitë në prag të vendimit të Qershorit për liderët europianë, në lidhje me statusin e vendit kandidat, dhe në një nga vendet lidere të BE-së?

Rovena Moçka: Padyshim që pritshmëria është që nesër të mësohet diçka rreth qëndrimit që pritet të mbajë Gjermania në lidhje me statusin kandidat për në BE ndaj Shqipërisë në Qershor, që mund të vijë nga deklarimet e Kancelares Angela Merkel, por sigurisht që kjo çështje pritet të ketë rëndësinë më të madhe të vizitës së delegacionit shqiptar, të kryesuar nga kryeministri Rama, duke ditur se Gjermania ishte një nga vendet udhëheqëse të qëndrimit për të shtyrë dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë në Dhjetor. Statusi do të jetë në qendër të vëmendjes dhe interesit të përbashkët, përpos marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Top Channel