Hamilton: Më në fund fitova në Malajzi!

31/03/2014 00:00

Lewis Hamilton ishte shumë i lumtur pas fitores së tij të 23 në karrierë në Formulën 1. Britaniku i Mercedesit arriti të fitonte Cmimin e Madh të Malajzisë duke dominuar garën nga fillimi në fund e duke shënuar edhe xhiron më të shpejtë.

Dita ishte shumë e veçantë për skuderinë Mercedes, pasi në vend të dytë përfundoi piloti tjetër i saj, Nico Rosberg. Kjo gjë nuk kishte ndodhur që nga viti 1955. Me pikët e grumbulluara në Malajzi, Mercedesi kryeson thellë renditjen e Konstruktorëve, me 25 pikë më shumë se McLaren dhe 38 më shumë se Ferrari.

“Jam shumë i lumtur. Është hera e tetë që garoj në Malajzi dhe më në fund arrita të fitoj. Falenderoj të gjithë skuadrën”, tha Hamilton, i cili e sheh veten në vendin e dytë të renditjes së pilotëve me 25 pikë, 18 më pak se Nico Rosberg.

“Jam i kënaqur edhe për faktin që arritëm të zinim vendin e parë dhe të dytë. Është diçka shumë e veçantë”, shtoi kampioni i Formulës 1 në vitin 2008.

Top Channel