FMN ‘rikthen’ PD-në në Kuvend

31/03/2014 00:00

Marrëveshja e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të rikthejë Partinë Demokratike në debatin normal parlamentar, të paktën për një prej pikave të rendit të ditës.

Duke qenë se pjesë e punimeve të Kuvendit të enjten do të jetë marrëveshja me FMN-në, nga e cila Shqipëria do të marrë borxh në 3 vjet 330 milionë euro, opozita do të bëhet pjesë e debatit për këtë pikë të rendit të ditës.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, qeveria nuk mund t’i fshihet më dështimeve të saj, të konkretizuara në marrëveshjen me Fondin, ku bihet dakord për rritjen e taksave, ngrirjen e rritjes së pagave dhe pensioneve dhe rritjen e çmimit të energjisë.

“Marrëveshja e qeverisë me FMN është një auto-demaskim në përmasa të mëdha i falsitetit dhe gënjeshtrave të saj elektorale dhe paselektorale për ekonominë. Qeveria po mundohet t’i bëjë bisht përballjes me këto fakte. Ne e kemi për detyrë ta ndalojmë këtë bishtim dhe do ta bëjmë këtë duke nisur nga e enjtja në Kuvend dhe duke e shtrirë anembanë vendit. Kjo është beteja etike për mbarë shqiptarët që nis dhe do të vazhdojë pa ndalim”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Sipas Partisë Demokratike të dhënat zyrtare tregojnë shifra alarmante për ekonominë përsa i përket mbledhejs së të ardhurave.

“Rritja e madhe e akcizave sipas qeverisë pritet të sjellë 120 mln dollarë më shumë në buxhet. Në fakt 2 muajt e parë të vitit ka sjellë 10 mln dollarë më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është më pak se një e pesta e asaj që është programuar. Një dështim të këtyre përmasave në parashikim dhe në zgjidhjet e propozuara nuk ka njohur asnjë qeveri në 23 vjet. Gabimet rëndom janë njerëzore, por kush gabon në këtë shkallë bëhet i pabesueshëm për të drejtuar dhe nuk jep më asnjë garanci”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kryeministri Rama nuk mund të fshehë dështimin e qeverisë së tij duke nxitur konfliktualiteti politik.

“Rënia në nivele historike e konsumit flet më qartë dhe më saktë se asgjë tjetër për gjendjen dhe perspektivën e errët ekonomike sot. Kjo sjellje tregon që qytetarët po bëjnë llogaritë e mbijetesës përditë e më të këqija pa qeverinë, duke e konsideruar qeverinë problemin për t’u zgjidhur dhe jo zgjidhjen e problemeve”, tha Basha.

Ekonomia, PS: PD po nxin realitetin

Partia Socialiste reagoi ndaj deklaratave të opozitës, se shifrat e ekonomisë në vend janë alarmante. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PS, Ervin Bushati akuzoi Partinë Demokratike se ishte ajo, që gjatë 8 viteve në pushtet, e futi vendin në krizën më të thellë ekonomike.

“Edhe sot dëgjuam nga Partia Demokratike të njëjtin refren, se ekonomia nuk po ecën në drejtimin e duhur. Ata që për tetë vjet qeverisën duke e zhytur ekonominë në krizë janë përgjegjësit, ndaj dhe të fundit që duhet të flasin”, deklaroi Bushati.

Sipas tij, krerët e opozitës përpiqen të mbjellin pasiguri duke thëne çdo ditë të pavërteta, ndërkohë që realiteti është ndryshe.

“Është e vërtetë që qeveria e Partia Demokratike e futi ekonominë në krizë, por qeveria e re po jep siguri për rritje ekonomike. Taksa e ndershme ka rritur rrogat për 97% të shqiptarëve. Është hequr taksa e biznesit të vogël dhe është ulur tatimi për fitimin e biznesit të vogël. Ndërsa biznesi i madh po ndjen një klimë të re partneriteti me qeverinë”, theksoi Bushati.

Më tej ai ka theksuar se, pas tetë vjet qëndrimi në vend numëro, procesi i legalizimeve ka filluar, me qeverinë e majtë që ka mbajtur një tjetër premtim të rëndësishëm.

“Dhe çka është më e rëndësishmja për ekonominë, është se borxhet e krijuara nga ish-qeveria e zotit Basha po shlyhen nga qeveria e re, duke krijuar një stimul ekonomik prej 1.1 miliard dollarësh”, shtoi Bushati. 

Top Channel