Real e Barça ndjekin Atletico-n

30/03/2014 00:00

Gareth Bale shënoi dy herë në fitoren e thellë 5-0 për Real Madrid, kundër Rayo Vallecano-s, në “Santiago Bernabeu”.

Atletico Madrid ruajti kryesimin e La Liga-s pas fitores në transfertën e vështirë ndaj Athletic Bilbao, me rezultatin 1-2. Ndërsa Barcelona arriti të fitojë derbin me Espanyol, me një 11-metërsh të marrë nga Neymar dhe të kthyer në gol nga Messi.

Fitoret për tre pretendentët për titull do të thonë vazhdim i kryesimit për Atletico-n, e cila ka ruajtur distancën prej një pike ndaj Barcelonës dhe 3 pikëvë nga Reali i vendit të tretë.

Cristiano Ronaldo kaloi në avantazh Real në minutën e 15’, pas një topi të marrë nga Bale. Portugezi, me shpejtësinë e tij shmangu 2 mbrojtësit kundërshtarë dhe më pas lëshoi një gjuajtje, e cila nuk i la asnjë mundësi portierit për të reaguar.

Në pjesën e dytë, madrilenët do të shënonin edhe 4 gola të tjerë, në fillim do të ishte mbrojtësi i krahut, Dani Carvajal, i cili do të realizonte nga brenda zonës. Më pas do të vinin edhe 2 gola të shpejtë nga Bale, në minutat 68’ dhe 70’ të ndeshjes. Uellsiani shënoi golin e parë pas një pasimi të marrë nga Di Maria, ndërsa i dyti pas një inkursioni personal nga rreth 80 metra. Rezultati përfundimtar do të vulosej nga i riu Morata, me një goditje fantastike në minutën e 78’.

Atletico kishte një ndeshje më të vështirë, pasi luante në fushën e Bilbao-s. Ndeshja nisi me një gol të shpejtë nga Iker Muniain në minutën e 6’. Pas një hezitimi të mbrojtësve, ai shënoi golin e parë të ndeshjes.

Atletico nuk u dorëzua, madje reagoi shpejt, duke barazuar shifrat me të përhershmin Diego Costa, që në 45 minutat e para të ndeshjes. Koke ishte autor i suksesit të madrilenëve këtë javë, duke i dhënë fitoren ekipit të tij në minutën e 55-të.

Ditën e martë, Barcelona dhe Atletico Madrid do të luajnë së bashku çerekfinalen e parë në Champions League.

Top Channel