Lustracioni apo antikorrupsioni?

30/03/2014 12:10

Artur LAZEBEU – Përgjigjja është: të dyja! Të dyja dosjet duhen hapur, pasi në qëllimin final bashkohen për nga produkti – mirëqeverisja si e drejtë e njeriut. Lustracioni si premisë, antikorrupsioni si garanci. Nëse lustracioni shenjon fitoren mbi moralin e së shkuarës që shkoi, antikorrupsioni shënjestron antimoralin e së tashmes që është. Ndonëse pyetja “kush është kush” është legjitimuar si filozofi e gjithëkohshme, procesi ka qenë mjerisht “fli, zgjohu, kujtohu!“.

E tillë është edhe kauza e dosjeve. Rezolutat e Këshillit të Europës, përkatësisht 1096 (viti 1995) dhe 1481 (viti 2006), sa herë që e kanë ngritur politikisht, aq herë kanë ngulmuar të sqarojnë se kjo lipset bërë as për kuriozitet, as për hakmarrje apo “rivendikime fatesh njerëzore”, duke transpozuar të drejta dhe detyrime kohërash dhe sistemesh që s‘puqen. Në lojë futet “e vërteta”, qoftë edhe ngjashëm me fabulën e Salemit, prej nga ka rrjedhur edhe termi “gjueti shtrigash”. Gjithkush ka “Salemin” e tij, lustrativ ose korruptiv, të dy ose asnjërin, por në çdo rast këto nuk mund të instrumentalizohen as për ngritje “engjëjsh”, as për fundosje “djajsh”. Sa më shumë është instrumentalizuar kjo, aq më shumë objektivi ka lëvizur, për të mos thënë se fatalisht gjahtari mund t‘ia ketë hequr vetes. Le të themi se, kësaj radhe, do të jetë “e treta – e vërteta”. Nismës për hapjen e dosjeve i ka dalë për zot shoqëria civile. Vlerë të shtuar, padyshim, përbën edhe rekomandimi i Avokatit të Popullit drejtuar Kuvendit. Konceptuar si proces administrativ, jo represiv, ky institucion e shtron thjesht dhe konkretisht synimin: “1. Aksesin individual në të dhënat që ish-shërbimet sekrete kanë mbledhur ndaj personave të interesuar, qofshin këta të ndjekur nga ky shërbim, qofshin punonjës me kohë të plotë, informatorë të vetë shërbimeve sekrete. 2. Aksesin e entiteteve publike dhe private në informacionin e sipërcituar, në përputhje me qëllimin e vetë procesit të hapjes së dosjeve. 3. Transparencën publike të aktiviteteve represive të ish shërbimeve sekrete, me përcaktimin se, aksesi është personal dhe me kufizime ligjore në publikim. 4. Mbrojtjen e subjektit përkatës të të dhënave, nga cenimi i së drejtës për privatësi, cenim i cili mund të shkaktohet nga keqpërdorimi i të dhënave personale. 5. Krijimin e autoritetit kompetent rregullator, si organ përgjegjës për procesin e hapjes së dosjeve”. Meriton vlerësim ky investim institucional për një problem moral (aq sa ne besojmë te morali), jo vetëm i një grupi interesi, sikurse vazhdon të keqperceptohet kjo punë prej vitesh, por që ka sjellë eventualisht, jo vetëm, por edhe për këtë shkak, dështimin e sipërmarrjeve të mëparshme. Në emër të së vërtetës, taksapaguesi dhe votuesi ka të drejtën edhe për informim, edhe për privatësi. Të njëjtët kanë të drejtë të informohen për ata që marrin vendime, sidomos kur qëllimi nuk është penalizimi, por parandalimi për të mos drejtuar si shtetarë shantazhues, sikurse të njëjtët kanë edhe të drejtën e ruajtjes së privatësisë, për të mos punuar si shtetas të shantazhuar. Në mes është “e vërteta që të bën të lirë”, ardhur si moral anglosakson, jo për t‘u përdorur vend e pa vend, por para së gjithash asi rastesh, kur sanksionimi ligjor lipset votuar minimumi konsensualisht, maksimumi unanimisht. Ndryshe nuk bëhet. Nisma për hapjen e dosjeve, duket sikur kësaj radhe po ndjek një rrugë që premton zbatueshmëri, pikërisht sepse nuk vjen së larti (në Ukrainë, Janukoviçi i 2005-s ishte më gojëshqyeri për hapjen e dosjeve, ndonëse kjo nuk ndikoi as në ngjitjen, as në zbritjen e tij nga poltroni, teksa përfundoi në darën e Mjeshtrit të Kremlinit, që as ka ndërmend t’i hapë ndonjëherë ato sa të jetë gjallë), por së poshtmi, nga shoqëria civile, media dhe një organ kushtetues i pavarur. Shtruar kështu, nisma ligjore në fjalë mund të japë shumë përgjigje, legjitimuar me interesin publik për të ditur “kush është kush”, varësisht interesave të individit, grupit të individëve, grupacionit a partisë politike, një shoqërie të tërë që tenton të lërë prapa jo thjesht disa mëkatarë të “lustruar” biologjikisht, por një mendësi të vjetër që ka hibridizuar sistemin e ri, duke korruptuar vetë kontekstin social ku sot përballemi/përbaltemi zi e më zi, mu si përmes atyre blogjeve me pseudonime që të kallin krupën daha më keq se provokimet e “fuksave të birucës”, ikur me erën. Çdo logjikë a ngucje përjashtuese nga ky proces do të thoshte se nuk synohet ringritja, por rivarrosja e një kauze që, nëse besojmë atë që shpallim, shoqëria e përfill si katarsis, ekzorcizëm të së keqes. Të shkuara të paharruara, le ta pranojmë se, dikush që është dënuar dikur, praktikisht i njeh dëshmitarët që i kanë dalë haptazi në gjyq. Mund të ndërmendemi se, kur ke ujkun, nuk ke përse të kërkosh gjurmët, por kjo nuk ka të bëjë me kallauzin e fshatit që duket, pasi çdo kohë ka pasur dhe do të ketë “spiunët e vet legjitimë”. E sotmja këmbëngul që të njihen jo të gjitha gjurmët, por vetëm ato, nëpër të cilat “ujqërit“ mund t‘i rikthehen kërdisë mbi “qengjat“. Nëse “ujqërit e lustruar“ na kacafyten me “qengjat e korruptuar“, Europa nuk ka nge të dëgjojë avazin: “Ujku blegërin/ qengji ulërin/ qengji po pi gjak/ ujku pi sherbet”. Europa e shekullit të 21 nuk mund të legjitimojë as shtetin që të kall datën, as shtetarin që të vë flakën; pra nuk ka vend për fobi, sepse nuk ka as shans për gjueti. Për hir të argumentit, publiku është njohur me dy raste (ndoshta edhe më shumë), të cilët në kohë të ndryshme kanë vetëdenoncuar “pokerin” e dikurshëm me ish-Sigurimin. Efektivisht ata i kanë hapur dosjet e tyre dhe, me sa mund të konkludohet pas aq e kaq kohësh, askush syresh nuk ka rezultuar mjaftueshëm “mëkatar”, sa për të përligjur ndëshkimin a përjashtimin nga jeta publike, politike dhe institucionale. Dorëzuar përballë këtij sinqeriteti qytetar, personalisht të tillët më janë dukur shumë më të fortë karshi ballafaquesve të tyre mediatikë, sidomos kur këta të fundit, nën zë dhe mbi zë, kanë tentuar të dalin nga ngërçi logjik, duke u përplasur të parëve, dëshpërimisht në fytyrë, një fakt të vetëpohuar. Mund të mos jem pajtuar asfare me analizat a vizionet e tyre politike, por për të folur drejt edhe kur rrimë shtrembër, “vetëmohuesit” i kanë kontribuuar shumë më tepër emancipimit tonë komunitar, sesa të gjithë mitomanët llapaqenë që i keqpërdorin të “vërtetat” si alibi personale. Ndonëse viktimat meritojnë përulje, shumë herë kemi përgojuar njërin apo tjetrin, se medemek “qenkësh zgjedhur apo emëruar në aksh pozicion, pikërisht sepse paska pasur dosje për t‘u mbajtur zap”! Absurde për t’u besuar, akoma edhe më absurde për të qenë e vërtetë. Hapja e dosjeve synon që ne të marrim vesh jo ish-spiunët, që prej vitesh përballojnë jetesën në karantinë pensioni, papunësie apo aktiviteti privat qoftë edhe fitimprurës, por ata që mëtojnë të marrin vendime dhe eventualisht rrezikojnë që, me gogolin e dosjeve, të kandisin miletin me kallje frike, në kushtet kur e vetmja frikë që duhet të ekzistojë, është frika nga frika, frika nga Zoti, frika nga ligji dhe për të mos e lënë pa gjë, edhe frika nga shteti. “Reason d’etat” është braktisur me kohë nga paradigmat demokratike, pasi njëlloj si parimi i “luftës së klasave”, ka legjitimuar dhunë ndaj individit të lirë. Në demokraci proceset bashkëshoqërohen vetvetiu me reaksione zinxhir, shumë më shumë sesa mund të kenë qenë parashikuar paraprakisht nga inicuesit. Si fund i nxituar a rifillim i vonuar i një procesi tashmë gati çerekshekullor, hapja e dosjeve vetvetiu do të ishte hapi i parë drejt lustracionit, pa paragjykime dhe përjashtime në favor/dëm të disave karshi disave. Përtej këtij qerthulli vicioz, purgator për çdo kopuk e hajdut të kohës sot e mot, nuk bëjmë keq, kur themi e rithemi në vetëngushëllim se: “askush nuk mund të jetë aq i pasur, sa të blejë të shkuarën e tij”. Në fakt, s’ka përse!

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA