Holanda rikthen Hiddink pas Brazilit

29/03/2014 00:00

Guus Hiddink do të jetë trajneri i ardhshëm i Holandës, duke zëvendësuar Louis Van Gaal pas Botërorit në Brazil, të cilin “Portokallinjtë” shpresojnë dhe dëshirojnë ta përjetojnë si protagonistë absolut.

Ish-trajneri i Chelsea dhe i kombëtareve të Rusisë, Australisë dhe Turqisë, vjen pas eksperiencës me Anzhi-n në Rusi, të përfunduar në Korrik të 2013-s.

Rikthime të bujshme edhe sa i përket stafit të tij. Do të jenë Danny Blind e mbi të gjithë Ruud Van Nistelrooy. Për Hiddink bëhet fjalë për një rikthim, pasi e ka drejtuar kombëtaren holandeze nga viti 1995-1998, duke zënë vendin e 4-t në Botërorin e Francës, 1998.

Më pas kaloi te Real Madrid, me të cilin fitoi një Kupë Interkontinentale, në Dhjetor 1998. Në vitin 2000 nis dhe përfundon shumë shpejt një eksperiencë me Betis Sevilla, duke u larguar pas rënies së klubit nga La Liga.

Top Channel