Tahiri: Gjyqtari na liron kriminelët

28/03/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një lëvizje të paprecedent të një Ministri të Brendshëm i është drejtuar me një letër Presidentit te Republikës, Bujar Nishani të marrë masa ndaj gjyqtarit të rrethit Kavajë, Osman Aliu, që sipas tij në mënyrë të përsëritur është duke liruar të gjithë të arrestuarit e policisë së Komisariatit të Kavajës.

Duke iu drejtuar Presidentit, që mban postin e kryetarit të KLD-së, Tahiri shkruan: “Vendimet absurde dhe shpesh herë haptazi të kundraligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësime serioze për Policine e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze.

“Me besimin që ndani të njëjtin mendim për pandëshkueshmërinë, i shkruan Ministri i Brendshëm Presidentit, mungesën e drejtësisë në disa segmente të gjyqësorit, ju lutem shqyrtoni materialin mbi këtë gjyqtar dhe vini në lëvizje të menjëhershme Këshillin e Lartë të Drejtësisë”.

Në rastet që ministri Tahiri i referon Presidentit, radhiten të dhëna në dy muajt e fundit, ku në dhjetë gjykime, gjyqtari Aliu i ka liruar të gjithë personat e arrestuar që i kanë shkuar për masë sigurie. Më të rëndat mbeten ato ku akuzat kanë qenë për përdhunim, trafik armësh, vjedhje, drejtim automjeti në gjendje të dehur e të tjerë.

Sipas ministrit Tahiri, vendimet më skandaloze kanë qenë në 5 shkurt, për lirimin e një shtetasi të  akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar arrest me burg. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.  

Në 7 shkurt, një shtetas i akuzuar për vjedhje, prokurori kërkoi arrest me burg, gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë sigurie dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg, nën masën e arrestit.

Në 17 mars, prokuroria kërkon detyrim paraqitje për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.

Në 23 mars, cka është edhe më e rënda, një shtetas u lirua në sallën e gjyqit ndërsa prokurori ka kërkuar arrest me burg, pasi kundërshtoi forcat e policisë, u kap me armë gjahu e municione pa leje.

Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.
Nisur nga kjo seri vendimesh, haptazi kundër ligjit, Ministri Tahiri kërkon marrjen e masave kundër këtij gjyqtari.

Nga Presidenca nuk ka ende një përgjigjje, por reagimi i parë ka mbërritur nga Ministria e Drejtësisë. Kreu i këtij dikasteri, Nasip Naço deklaroi nisjen e inspektimit ndaj gjyqtarit në fjalë. Naço tha se Ministria e Drejtësisë është e vendosur për të luftuar abuzuesit dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA