Rrokadë prefektësh, në Vlorë emërohet Etjona Hoxha

28/03/2014 00:00

Besnik Dervishi nuk do të jetë më prefekt i qarkut të Vlorës, pasi në
vend të tij është emëruar Etjona Hoxha. Zëvendësimi i papritur është
bërë me një vendim qeverie, ku thuhet se Dervishi është larguar nga
detyra për t’u emëruar në një detyrë tjetër, por ende nuk bëhet i ditur
funksioni i ri i tij.

Prefektja e re e qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin e Vlorës, ‘Ismail Qemali’.

Ajo është pjesë e Asamblesë Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste. Në një deklaratë për mediat, tashmë ish-prefekti i qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi ka bërë të ditur se atij i është bërë një kërkesë nga kryeministri Rama për një detyrë tjetër të rëndësishme. Dervishi ka falënderuar gjithë qytetarët e Vlorës që e kanë mbështetur në këto vite si prefekt i Vlorës.

“Pasi  vendosa t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së Kryeministrit Edi Rama për të marrë një detyrë tjetër të rëndësishme, dëshirojë në radhë të parë të falënderoj të gjithë qytetarët e Vlorës për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë në ushtrimin e detyrës së Prefektit të Qarkut. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, për besimin e palëkundur qe ka treguar gjate periudhës së ushtrimit të detyrës nga ana ime, besim të cilin unë dëshiroj ta përmbush edhe përmes detyrës së re që do të më besohet. Në të njëjtën kohë, duke i uruar suksese Prefektes së re, dëshiroj të falënderoj edhe të gjithë bashkëpunëtorët, deputetët dhe autoritetet vendore të qarkut, grupet e interesit dhe mediat, të cilët më kanë ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të plotë dhe të sinqertë”, ka deklaruar Dervishi.

Ndryshime të tilla ka pasur edhe në Kukës. Ku si prefekt i qarkut është emëruar Safet Gjici, presidenti i ekipit të futbollit të Kukësit. Gjici ka zëvendësuar Ram Hoxhën.

Top Channel