
Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka bërë një pasqyrë të ecurisë së procesit të legalizimeve duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës lidhur me tarifat e legalizimeve dhe denoncuar abuzimet e bëra gjatë qeverisjes së mëparshme.
“2 mijë deri në 5 mijë lekë ishte për rojen te dera për të hyrë tek ALUIZNI, 50 mijë deri në 100 mijë lekë ishte që dikush ta merrte dosjen dhe të dënjonte ta hapte. Batuta që përdorej tek ALUIZNI ishte që të zbresë dosja nga dollapi në tavolinë ishte 50-100 mijë lekë. Procedurat e legalizimit, e kemi thënë që do të jenë falas. Arsyet janë dy, e para sepse shteti pas 8 vjetësh që torturon njerëzit, nuk ka fytyrë t’u kërkojë lekë, dhe tjetra sepse sa më shumë të kemi mundësinë ta ulim këtë faturë, aq më shumë ndihmojmë këta njerëz për t’u integruar”, tha Lame.
Zoti Lame u ndal dhe tek akuzat lidhur me shpërndarjen e lejeve të përgatitura nga administrata e mëparshme. Edhe këtu kreu i ALUIZNI-t denoncoi rastet e korrupsionit, ndërkohë për shumë qytetarë procedurat kanë zgjatur me vite të tëra pa u përmbyllur.
“Janë turp t’i shohësh me sy. Shumica janë procedura të hapura dhe të mbyllura brenda 2 ditësh. Paketë e mbyllur. Shkoje, paguaje lekët, mbaroje punë. Legalizimet tona; 23/03/2005, ka qenë Fatos Nano kryeministër kur ky i shkreti ka bërë vetëdeklarimin. Legalizimin do t’ia japim ne duke i shkuar duke i bërë matjen e shtëpisë, sepse këta bënin këtë gjë, paguanin faturat dhe të gjithë procedurat e matjeve në terren po i bëjmë ne tani sepse në dosje nuk ka asnjë dokument dhe lejen e legalizimit ia japim ne tani, pardje në takimin që u bë nga Kryeministri”, shtoi Lame.
Kreu i ALUZNI-t iu referua edhe dosjeve të cilat kanë qenë në procedurë legalizimi dhe gjatë kësaj kohe qytetarët kanë ndërtuar në to shtesa katesh.
“Në ndërtimet pa leje në zonat informale, në ndërtimet pa leje të vetëdeklaruara, shtesat e bëra pikërisht për këtë arsye, do merren parasysh, që do të thotë se gjithë procedura do nisë nga fillimi sepse nuk ka asgjë të hedhur në letër”, sqaroi kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.
Top Channel