F1, Alonso: Gjithçka shkoi mirë

28/03/2014 00:00

Fernando Alonso u tregua i kujdesshëm në analizën e provave të lira të Cmimit të Madh të Malajzisë duke kujtuar se shumë skuadra ende nuk kanë arritur të gjejnë formulën e duhur për të përballuar sezonin e ri.

“Jemi në një fazë studimi tani dhe duhet të presim për të parë se ku jemi. Zakonisht, ditët e premte janë ditë konfuze pasi çdo pilot punon në bazë të një programi të ndryshëm”, shpjegoi spanjolli i Ferrarit.

Gjithsesi, Alonso tregohet i kënaqur me këto prova të lira: “Në përgjithësi gjithçka shkoi mirë, nuk patëm probleme me besueshmërinë e makinës dhe bëmë aq xhiro sa kishim programuar për të njohur sjelljen e gomave në një pistë me temperaturë kaq të lartë.”

Provat zyrtare të Cmimit të Madh të Malajzisë do të zhvillohen të shtunën në orën 09:00, ndërsa gara të dielën në orën 10:00. Të dyja këto evente mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel