Situata në veriun e Kosovës dhe bisedimet me Serbinë vazhdojnë të jenë tema debati e replikash të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend. Këtë të enjte ka qenë deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili e vlerësoi të dështuar politikën e qeverisë për veriun.

“Ajo që e ka karakterizuar pushtetin qeveritar të Kosovës këto gjashtë vitet e pavarësisë ka qenë një prirje e vazhdueshme për të lëshuar pe ndaj Serbisë. Qeveritarët e Kosovës janë kompromisaxhinj të pashembullt”, deklaroi Konjufca.

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj kritikoi qeverinë përsa i përket situatës në veri. “Gjendja në veri nuk ka ndryshuar. Nëse shkoni sot dhe e shihni gjendjen e vërtetë, sinqerisht mund t’ju them se është më keq se shumë vite më përpara. Keni deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje të Serbisë në Kosovë. Ne e pamë fare mirë se pati zgjedhje, pati vendvotime dhe siguri e ofruar nga Policia e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, duke replikuar me deputetët e opozitës tha se situata në veri ka ndryshuar dukshëm. Ajo mori si shembull për ilustrim zvogëlimin e numrit të barrikadave nga 18 në vetëm dy.

“Pse shihni vetëm anët negative dhe injoroni dhe mohoni rezultatet e prekshme që konfirmohen edhe nga faktori ndërkombëtar. Ne tani jemi në veri sepse kemi shtrirë sovranitetin në disa fusha si: në drejtësi, në siguri, në funksionalizimin e komunave, përkatësisht në pushtetin lokal, në dogana, në kontrollin kufitar të shtetit dhe kemi vënë kufirin ndërshtetëror me Serbinë”, deklaroi Tahiri.

Deputetët ngritën edhe çështje që kanë të bëjnë me sigurinë publike në Kosovë. Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi pasi dënoi vrasjet e fundit në qytetin e Pejës, kërkoi nga ministri i Brendshëm që të themelojë njësinë speciale të policisë për këtë rajon.

Top Channel