Serie A, tjetër fitore e Juves, ringjallet Milan

27/03/2014 00:00

Një tjetër fitore për Juventus, që mposht 2-1 Parmën falë të zakonshmit Carlos Tevez, dopietë e tij dhe kryegolashënues i kampionatit italian, si dhe duke vendosur një rekord me 15 fitore radhazi në shtëpi, gjithnjë për Serie A.

Për verdheblutë, të cilët protestuan për një penallti të padhënë në minutën e 90-të, nuk mjaftoi për asgjë goli i Molinaro-s, një ish-juventin.

Pikë të plota edhe për Napolin, që mbyll gjithçka në transfertën ndaj Catania-s që në pjesën e parë, 4-0 falë dygolëshit të Zapata-s dhe golave të Callejon dhe Henrique. Në të dytën, siçilianët reagojnë dhe shënojnë dy gola me Monzon e Gyomber, por është shumë vonë.

Një fitore “shpëtimtare” për Seedorf dhe shprese për Milanin, që shtang të pranishmit në stadiumin e Fiorentinës, falë golave të Mexes dhe Balotelli-t, duke shuar shpresat e ekipit “viola” për të kapur vendin e tretë, që të çon në eliminatoret e Champions-it të sezonit të ardhshëm.

Në sfidën për mbijetesë mes Chievo-s dhe Bologna-s, skuadra e Corini-t del triumfuese me një rezultat të pastër 3-0, dygolësh i Paloschi-t dhe një gol i Rigoni-t, ndërkohë që vazhdon momentin pozitiv Atalanta, e cila mposht 2-0 Livornon me gola të De Luca-s dhe Denis. Një fitore që e bën të ëndërrojë Europa League.

Fitorja e dytë radhazi, më në fund, për Sampdorian, që mund të transfertë Sassuolo-n, me gola të shënuar nga Sansone dhe Okaka, ndërkohë që vendasit barazuan përkohësisht me Longhi, ndërsa Genoa triumfon ndaj Lazio-s 2-0, falë Gilardino-s dhe Fetfazidis.

Në ndeshjen e parë të ditës së martë, Roma fiton me vuajtje ndaj Torino-s, ku shënuan Florenzi dhe Destro, teksa kishte barazuar përkohësisht Immobile. Serie A do të mbyllë këtë javë me takimin mes Interit dhe Udinese-s, ditën e enjte.

Top Channel