
Serbi Novak Djokovic dhe britaniku Andy Murray do të ndeshen në çerekfinalet e Masters 1000 që po zhvillohet në Miami pasi të dy këta tenistë mundën kundërshtarët respektivë në 1/8 e finaleve.
Murray, kampioni në fuqi i këtij turneu, mposhti francezin Jo-Wilfred Tsonga me rezultatin 6-4 dhe 6-1, ndërsa Djokovic fitoi ndaj spanjollit Tommy Robredo me rezultatin 6-3 dhe 7-5.
Ndërkohë, zvicerani Roger Federer dha një tjetër leksion tenisi duke fituar në vetëm 49 minuta lojë me rezultatin 6-1 dhe 6-2 ndaj francezit Richard Gasquet. Pas kësaj fitoreje, Federer do të ketë përballë japonezin Kei Nishikori, i cili vuajti shumë për të mundur në 3 orë spanjollin David Ferrer (7-6, 2-6 dhe 7-6).
Edhe Rafael Nadal kaloi në çerekfinale pasi mundi me lehtësi italianin Fognini me rezultatin 6-2 dhe 6-2. Tashmë, spanjolli do të ketë përballë kanadezin Milos Raoniç, i cili fitoi ndaj gjermanit Benjamin Becker (6-3 dhe 6-4).
Në ndeshjet e tjera të 1/8-ve të Masters 1000 Miami, ukrainasi Alexandr Dolgopolov fitoi 6-4, 3-6 dhe 6-1 ndaj zviceranit Stanislas Wawrinka. Kundërshtari i tij në çerekfinale do të jetë çeku Thomas Berdych, i cili fitoi 6-3 dhe 7-5 ndaj amerikanit John Isner.
Top Channel