
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj të mërkurën ka dëgjuar akuzat që rëndojnë ndaj tij në çështjen e njohur si “MTPT2”.
Prokurori i çështjes, Johanes Pickert teksa lexoi pesë pikat e aktakuzës tha se Fatmir Limaj dhe të tjerët kanë vepruar si grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar. Sipas prokurorit, në krye të grupit qëndronte Fatmir Limaj si ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
“Fatmir Limaj, si figurë e fuqishme politike, ka shërbyer si drejtues i grupit kriminal, ndërkohë që gjatë komunikimit të tjerët atij i janë referuar si “daja”, “bosi” dhe “shefi””, tha prokurori.
Nga ana e tij, Limaj i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai tha se e tërë aktakuza e prokurorisë është e ndërtuar mbi tri shtylla: paragjykim, çështje abstrakte dhe spekulime të qarta, duke mos u mbështetur në as edhe një fakt.
Bashkë me Limajn në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i prokurimit i Ministrisë së Transportit Nexhat Krasniqi, Ali Aliu, Beqir Deda dhe Shpëtim Telaku. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.
Top Channel