Biznesi: Gjyqësori i korruptuar

26/03/2014 00:00

Gjatë një takimi për të prezantuar raportin e barrës fiskale, sipërmarrës që bëjnë pjesë në Dhomën Amerikane të Tregtisë, denoncuan shkallën e lartë të korrupsionit me të cilin sipërmarrësit përballen në sistemin gjyqësor.

“Vetëm 2 për qind, ose 3 për qind e gjyqtarëve janë të pastër. Gjyqtarët e tjerë janë në një nivel korrupsioni shumë të lartë. Një gjyqtar, për një çështje siguracioni, më ka marrë mua 19 milionë e 700 mijë lekë”, ka deklaruar Fitnete Sulaj, kryetare e Shoqatës së Kompanive të Sigurimit.

Në takim u prezantua raporti i vlerësimit të barrës tatimore sipas qarqeve në Shqipëri dhe krahasimi me vendet e rajonit. Sipas këtij raporti, barra tatimore në vend ka pësuar rënie nga 22.8% në 2012 në 21.5% në 2013. Peshën më të madhe e zë Tirana për shkak të përfshirjes së tatim paguesve të mëdhenj.

“Tatim paguesit e mëdhenj përbëjnë 50% të totalit të barrës fiskale, pra janë 700-800 biznese që kontribuojnë me diçka më shumë se 50 %”, deklaroi Eduard Gjokutaj, këshilltar në Ministrinë e Financave.

Në këtë pikë, biznesi sërish ka denoncuar trajtimin e padrejtë që u është bërë deri më tani sipërmarrjeve.

“Nuk duhet të bëhet në mënyrën që këta janë peshkaqenë dhe t’ia u marrim këtyre. Këtyre bizneseve që paguajnë gjithë këto taksa dhe që punësojnë gjithë këta njerëz duhet t’u bëhen tolerime. Ka kompani të tjera që nuk kanë paguar fare”, denoncoi më tej Fitnete Sulaj.

Top Channel