
Shtatë ndeshje para përfundimit të kampionatit, Bayern Munchen ka siguruar fitoren e titullit të 24-t në Bundesliga.
Toni Kroos , Mario Gotze dhe Franck Ribery ishin autorët e 3 golave në fitoren 1-3, që bavarezët arritën në fushën e Hertha-s, duke i shtuar në listën e pasur të trajnerit të tyre Pep Guardiola, edhe një titull të ligës gjermane.
Kampionët e Gjermanisë bënë një nisje të shpejtë të ndeshjes, duke krijuar edhe disa raste, falë edhe gabimeve të mbrojtësve të Hertha-s. Muller dha një asist për Kroos, i cili me gjakftohtësi arriti të realizonte në portën e vendasve golin e parë.
Kjo ishte ndeshja e 64-t radhazi, që ekipi i bavarezëve arrin të shënojë gol, një rekord i tillë është mbajtur edhe nga Barcelona. Vetëm 8 minuta pas golit të parë do të vinte edhe i dyti; Gotze do të realizonte me kokë, pas pasimit të Bastian Schweinsteiger, i cili ka bërë paraqitje fantastike në ndeshjet e fundit.
Me fillimin e pjesës së dytë, Guardiola vendos të bëjë edhe 2 zëvendësime, duke hedhur në fushën e lojës Mario Mandzukic dhe Ribery, ky i fundit do të shënonte edhe golin e 3-të në minutën e 79-të. Ndërkohë, që goli i vetëm për vendasit u shënua në minutën e 66-të nga Ramos, me 11-metërsh.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Thiago do t’i zërë vendin Schweinsteiger-it, i cili është lojtari i parë nën 30 vjeç, që ka arritur të fitojë 7 kampionate. Përveç fitores së titullit të 24-t, Bayern me këtë sukses shënoi edhe triumfin e 19-të radhazi në kampionat.
Top Channel