Sipas një studimi të bërë nëpër shkolla rezulton se nxënësit e moshës nga 6-12 vjeç kanë të paktën 2 dhëmbë të prishur. Kjo për shkak të një mungese të higjenës së gojës, apo të një vëmendje më të madhe të prindërve, por edhe fëmijëve të kësaj moshe.

Sot do të ketë një aktivitet për të sensibilizuar nxënësit e shkollave
por edhe prindërit
. Për të biseduar për këtë studim të fundit, në lidhje
të drejtpërdrejtë me studion e Revistës së Mbrëmjes ka qenë Oriona
Tampuri, specialiste e stomatologjisë në Autoritetin Shëndetësor
Rajonal.

Pandi Gjata: Pse kjo situatë problematike me higjenën e gojës, e në mënyrë të veçantë me këta fëmijë të moshës nga 6-12 vjeç. Pse pikërisht kjo të jetë mosha më problematike?

Oriona Tampuri:
Mosha më problematike, sepse është mosha kur fillojnë të dalin dhëmbët e përhershëm, ndërkohë në gojë janë ende dhëmbët e qumështit, që janë të prishur në masëm më të madhe. Në moshën 6-vjeçare ne kemi vetëm 24% të individëve pa asnjë dhëmb qumështi të prishur. Pra kuptohet situata deri në moshën 12-vjeçare, që këto dhëmbë janë ndërruar plotësisht, se si është gjendja e gojës.

Pandi Gjata: Studimi është shtrirë në shkollat e rajonit të Tiranës. Po ku është ndryshimi mes kryeqytetit dhe zonave rurale në këtë studim që ju keni kryer?

Oriona Tampuri: Studimi që bëmë ne, dallimin ndërmjet qytetit dhe fshatit e bëmë vetëm për moshën 12-vjeçare, pasi kjo është edhe mosha kyçe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Pikërisht mosha kur janë zëvendësuar të gjithë dhëmbët dhe vendoset përfundimisht për fatin e dhëmbëve të përhershëm. Ndryshimi është i lehtë, gjithsesi, megjithatë vihet re se ka një përqindje më të ulët të prishjes së dhëmbëve në fshat, në shkollat e fshatrave, dhe ne e kemi shpjeguar me nivelin socialo-ekonomik në këto zona është më i ulët, pasi si shërbim parandalues ne e kemi njësoj, si në qytet edhe në fshat, shërbimet që ofrohen janë po të njëjtat. Ajo që ndryshon është mënyra e të ushqyerit, ka një prirje më të ulët për të konsumuar sheqerna në bazë ditore dhe veçanërisht pijet me gaz, që njihen tashmë si shkaktarë të prishjes së dhëmbëve.

Pandi Gjata: Ato që janë tashmë edhe “ushqimet” e preferuara të fëmijëve…

Oriona Tampuri: Në shkollat e qytetit, në çdo pushim të madh shohim se, megjithëse “fast-food”-et janë mbyllur, përsëri shohim fëmijë që i kanë marrë ato me vete, i kanë sjellë nga jashtë dhe vazhdojnë t’i konsumojnë.

Pandi Gjata: Në këtë situatë, pothuajse në çdo shkollë kemi nga një stomatolog. Roli i tij për këtë brez fëmijësh, nga 6-12 vjeç, cili është?

Oriona Tampuri: Misioni i Shërbimit Stomatologjik Publik është pikërisht parandalimi i sëmundjeve të dhëmbëve dhe të gojës te këto mosha, duke filluar nga 6 vjeç e duke e përfunduar ciklin te moshat 18-vjeçare. Më pak merremi me moshat 3-5 vjeç, që janë edhe moshat e kopshteve. Ajo që ne synojmë është të parandalojmë një patologji, të mos e lejojmë atë të shfaqet në gojën e fëmijës, sepse mjekimi, pavarësisht se ofrohet edhe ai, nuk jep në afatgjatë rezultatet që do të donim ne. Pra, nuk është mjekimi ai që sjell uljen e një patologjie, por është parandalimi.

Shëndeti i gojës
Specialistët japin këshillat e nevojshme për të parandaluar infeksionet

Pandi Gjata: Ajo që i këshilloni prindërve të fëmijëve të kësaj grupmoshe, por edhe të gjithë prindërve në përgjithësi, çfarë kujdesi duhet të kenë në këtë pjesë të rëndësishme të shëndetit oral…?

Oriona Tampuri: Ne u këshillojmë prindërve që fëmijëve t’u kushtojnë kujdesin për dhëmbët që në moshën 6 muajshe, kur atyre u dalin dhëmbët e parë. Si për çdo gjë tjetër, prindërit duhet të kujdeset për fëmijën veçanërisht për moshën nga 0 në 6 vjeç, maksimumi 5 vjeç themi ne, kur dhe formohet personaliteti. Në moshën 6-muajshe, me daljen e dy dhëmbëve të parë të qumështit, duhet të fillojë pastrimi i tyre, më pas vizita te mjeku stomatolog, që duhet të ndodhë maksimumi në moshën 2 vjeç, dhe po në këtë moshë duhet të fillojë larja e dhëmbëve me furça të vogla dhe me pasta trajnuese, të cilat janë pasta pa fluor dhe me synimin për ta mësuar fëmijën me procesin e larjes së dhëmbëve. Mbas moshës 5-6 vjeç, kur prindi e sheh që fëmija e ka refleksin e plotë të të pështyrit, pra që nuk e gëlltit pastën, atëherë mund të kalojë në një pastë të zakonshme me fluor. Pastat për fëmijë rekomandohen të jenë me 600 ppm fluor, gjë që e kanë edhe të shkruar. Një rekomandim tjetër, që është domosdoshmëri, është kujdesja për dhëmbët e qumështit, pra ta çojnë fëmijën te mjeku stomatolog një herë në 6 muaj, edhe gjatë moshave 2-6 vjeç. Pas kësaj moshe e mbulojmë ne këtë kontroll, dy herë në vit, ndërsa më përpara është gjithçka në dorën e prindërve. Po nuk u trajtuan dhëmbët e qumështit, apo po nuk u parandalua sëmundja që në këtë moshë, edhe dhëmbët e përhershëm do të jenë të prishur.

Top Channel