Tiranë, protestë kundër vrasjes e kafshëve

25/03/2014 00:00

Qindra qytetarë protestuan të martën përpara godinës së Bashkisë së Tiranës, si reagim ndaj denoncimit që emisioni investigativ Fiks Fare në Top Channel i bëri vrasjes makabër të qenve të rrugës nga ky institucion.

Në pamjet filmike të transmetuara disa ditë më parë tregohet qartë se si punëtorët e Bashkisë i vrasin qentë, ndërsa në raste të ndryshme, kafshët e vrara përfundojnë edhe në vendgrumbullimet e mbeturinave.

Protestuesit kërkuan nga Bashkia gjetjen e një zgjidhjeje për grumbullimin e qenve të rrugës duke shmangur vrasjen e tyre.

Kafshët e rrugëve, e kryesisht qentë, janë një problem i pranishëm prej disa vitesh në kryeqytet. Problemi më i madh është shtimi i këtyre kafshëve të cilat janë bartëse të majft sëmundjeve që rrezikojnë të gjitha moshat.

Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave kafshët endacakë duhet të grumbullohen dhe të sterilizohen me qëllim mossshumimin, ndërsa eleminimi i tyre bëhet vetëm në rastet kur konstatohet që kafshët janë ekzaminuar nga veterinerët e njësisë vendore përkatëse si të rrezikshëm për komunitetin.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për detyrat dhe funksionet e shërbimit veterinar në qeverisjen vendore në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës, të nenit 54, pika 2 e ligjit nr 10465 dt.29.01.2011, përcakton gjithashtu se grumbullimi i kafshëve bëhet në pikat e përcaktuara nga njësia vendore ndërsa transportimi i tyre duhet të bëhet në respekt te mirëqënies së tyre.   

Top Channel