
Pas debateve që kanë ndezur ambientin kuqezi, me disa që akuzojnë administratorin e deleguar, Adriano Galliani, dhe disa të tjerë trajnerin Clarence Seedorf, ka ndërhyrë Barbara Berlusconi.
Në një intervistë për “FourFourTwo Italia”, që pritet të dalë më 29 Mars, administratorja e re e Milanit, e cila ndan thuajse të njëjtat kompetenca me Galliani-n, ka folur mbi këtë të fundit, mbi trajnerin Seedorf dhe mbi perspektivat e kuqezinjve.
“Me Galliani-n ka një sintoni të plotë, edhe pse është dashur një kohë e gjatë për t’u sqaruar, gjithsesi tepër e vyer”. Po për Seedorf? “E ka zgjedhur babai im (Silvio Berlusconi)”. Ndërsa për të ardhmen e Milanit? “Jemi duke kaluar një sfidë rinovimi, që do t’i japë frutet e veta në periudhën afatmesme, jo më herët se 3 vjet”.
Cilat janë raportet e tua me Galliani-n, sot?
“Gjatë muajve të kaluar, me Adrianon ka lindur një përplasje e fortë, por që sot e vlerësoj si tepër pozitive. Një përplasje që ka rezultuar e nevojshme dhe konstruktive, që ka pasur në fokus të gjitha ambiciet e shoqërisë kuqezi dhe që do të sjellë për pasojë ndryshime domethënëse. Jam e sigurt se ky sqarim dhe gjetja e mirëkuptimit të ndërsjelltë nuk do t’i sjellë gjë tjetër Milanit veçse rinovim”.
Të krijosh një skuadër të fortë pa shpenzuar parà, apo të krijosh parà për të përforcuar skuadrën… Cila është rruga juaj?
“Pse jo të dyja bashkë. Objektivi është ai i nënshkrimit me talentë të rinj, përpara se të bëhen lojtarë të mëdhenj dhe përpara se kostoja e tyre të bëhet një pengesë sfiduese për ne. Ndërkohë, rritja e të ardhurave është një sfidë qendrore, bazike. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vetëfinancohemi, të përmirësojmë strukturat dhe t’i lejojmë vetes ndonjë lojtar klasi më shumë. Një sfidë, që do t’i japë rezultatet në periudhën afatmesme, pra jo më parë se 3 vjet”.
Zgjedhja e Seedorf ka qenë në bashkërakordim me babain tuaj?
“Jo, ishte zgjedhje e tij personale”.
Top Channel