
Projektligji për veteranët e luftës së UÇK-së përplas qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Kryeministstri Hashim Thaçi të hënën kërkoi që ky ligj të futet si pikë e rendit të ditës në seancën parlamentare të kësaj jave.
Thaçi vizitoi Organizatën e Veteranëve të UÇK-së dhe sipas tij, pas miratimit që ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka më arsye që ligji të vonohet.
Por, sipas kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, projektligji akoma nuk i ka kaluar proçedurat parlamentare dhe rrjedhimisht pritet të hyjë në rend ditë në seancën e javës së ardhshme.
“Të mërkurën do të jetë dëgjimi publik, pastaj është periudha e amendamentimit të ligjit. Pasi komisioni funksional e amendamenton ligjin, atëherë ai u drejtohet komisioneve siç është komisioni për buxhet dhe financa, komisioni për legjislacion dhe komisioni për komunitetet”, deklaroi Krasniqi.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit Thaçi që ligji të kalojë këtë javë, Krasniqi tha se ato nuk janë të bazuara në ligjet dhe proçedurat parlamentare.
“Unë nuk dua të merrem me deklarata që nuk kanë për bazë ligjet dhe proçedurat. Ne funksionojmë sipas ligjeve dhe respektojmë proçedurat dhe kur kryhen proçedurat ne mund të themi se jemi brenda afatit”, theksoi Krasniqi.
“Kuvendi nuk është vonuar, madje mund të them se këtë ligj e ka përshpejtuar pak. Janë të tjerët që i kanë bërë vonesat jo vetëm këtë vit, por edhe në vitet e tjera”, vijoi kryetari i Kuvendit.
Ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës kritikuan kryeministrin Thaçi se edhe presioni për ligjin për veteranët është pjesë e fushatës parazgjedhore.
“Është shumë e qartë se gjithë këto fjalë të zjarrta janë fushatë. Por pavarësisht kësaj, ne konsiderojmë se është e nevojshme që statusi i veteranëve të rregullohet. Por të akuzosh Kuvendin për vonesë është e papranueshme dhe nuk është e vërtetë”, deklaroi Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës parlamentare të mbahet më 27 mars. Në rendin e ditës do të jetë edhe projekglitji për zgjedhjet e përgjithshme.
Top Channel