
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e quan ditë të fillimit të fitores së madhe ditën e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, që këtë të hënë bën plot 15 vjet.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Thaçi falenderoi aleatët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dhanë UÇK-së dhe popullit të Kosovës.
“Sot është një ditë e madhe për Republikën e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, për të gjithë shqiptarët. Është dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, pas arritjes së marrëveshjes në Rambuje.
Është dita e fillimit të fitores së madhe, prandaj uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë ditë të jashtëzakonshme dhe historike për popullin tonë.
Uroj dhe falënderoj shumë të gjithë partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme që i dhanë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës, vlerave të civilizimit, vlerave humane, përpjekjeve tona për liri”, ka shkruar Thaci në Facebook.
Ndërkohë, edhe presidentja Atifete Jahjaga, duke folur për këtë përvjetor, është shprehur se, ndërhyrja ajrore e NATO-s mbi objektivat serbe ishte një ndërhyrje thellësisht humanitare, që shpëtoi qindra mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës dhe që ofroi mundësinë e re për një jetë të lirë në një shoqëri demokratike.
“Në këtë 15 vjetor ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Shtetet e Bashkuara, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për NATO-n, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re”, është shprehur Jahjaga.
Top Channel