Aleksandër Çipa – U bënë tri denoncime që opozita bën publikisht për emërime në nivele të larta të administratës publike, për të cilat qeveria e së majtës përgjigjet me reagim dhe qëndrim zyrtar. Është një moment që duhet mbajtur në vëmendje të publikut dhe për të cilin ia vlen të gjykohet se si po gjendet një pistë për opozitarizëm konstruktiv, nga PD.
Në dy rastet e denoncimeve të javës së shkuar për emërime zyrtarësh të cilët, sipas opozitës, rezultojnë me histori akuzash për veprimtari kriminale, opozita ka fituar moralisht. Ndërkohë që në një prej rasteve në fjalë, së pari është reaguar prej të emëruarit me dorëheqje publike.
Një ditë më parë, opozita u ndal te denoncimi i emërimit të drejtorit të spitalit rajonal të Kavajës, sipas së cilës, ky person ka qenë i akuzuar për kontrabandë ilaçesh.
Të marra së bashku këto raste shënojnë një kurs investigimi opozitar për CV-të e titullarëve apo të emëruarve në poste të rëndësishme të administratës publike, prej qeverisë së të majtës. Kjo është një provë serioze kur opozitarizmi së pari vlerëson kriterin faktologjik dhe nuk bën qëllim në vetvete patetizmin patologjik politik.
Prej kohësh, diçka e tillë kishte munguar në përballjen pozitë-opozitë. Ankesat egërshane të ish-kryeministrit Berisha dhe të disa mbështetësve të tij në PD për gjithë procedimin e shumicës së majtë në emërimet e qeverisjes së re, mbartnin më tepër perceptim dhe përshtypjen e një patologjie politike se sa të një qëndrimi të drejtë. Më shumë triumfonte përshtypja për sindromin e antagonizmit të njohur berishist e jo për një refuzim opozitar që buronte prej analizës faktike të çdo emërimi apo lëvizjeje në institucionet e ekzekutivit, agjencitë ligjzbatuese apo edhe entet e ndryshme të administratës publike.
Mirëpo denoncimet e fundit po lënë një shije tjetër. Është sipas të gjitha gjasave një kurs i ri i opozitarizmit të PD-së në fushën e emërimeve dhe për sa u përket kritereve se si dhe mbi ç’bazë meritokratike janë bërë dhe bëhen emërimet e reja në administratën publike të vendit.
Një prirje e tillë për të qenë e bazuar së pari mbi kriterin faktologjik, meriton vlerësim dhe përkrahje. Është e vetmja mënyrë e munguar që e drejta opozitare ndihmon vetveten, pasi ngjet si me të thënën e Balzakut: “Faktet janë kokëforta”. Përballë kësaj “kokëfortësie”, vetë qeveria apo dy partitë në qeverisje nuk mund të mbrohen dhe nuk mund të përgjigjen me kokë-brutalitetin e të qenët shumicë. Një pistë e tillë kontribuon pashmangshmërisht për frenimin e çdo emërimi që vjen prej mungesës së vlerës meritokratike, por më së shumti që kalon përmes procedurash të mosverifikimit të figurës morale dhe pastërtisë ligjore të së shkuarës së të emëruarit.
Në gjashtë muajt e parë të kësaj qeverie, akuzat opozitare kanë qenë krejtësisht politike. Madje polemikat dhe përcjellja e konfliktit politik për ligjin e penguar të nëpunësit civil, sipas të gjitha gjasave janë pjesë e një problemi që do të kemi në gjykimin e pritshëm të BE-së për statusin dhe raportin periodik vlerësues.
Rikthimi me kaq vonesë i PD-së në këtë lloj opozitarizmi, pra në atë të denoncimit të CV-ve apo të verifikimit të dëshmive të penalitetit për të emëruarit, është vetëm një pjesë e së nevojshmes. Kjo pistë ndihmon jo vetëm për të instaluar regjimin e kontrollit institucional për verifikimin e “pastërtisë morale dhe ligjore të nëpunësisë”, por më së miri ndikon në instalimin e vlerave dhe kritereve meritokratike në administratë dhe gjithë nivelet e nëpunësisë.
Kjo formë konstruktive e opozitarizmit imponon dy partitë qeverisëse të mos aplikojnë standarde të dyfishta dhe të rishikojnë në kohë dhe me kohë edhe ndonjë emërim apo punësim i cili bie ndesh me njohjen reale që ka opinioni dhe institucionet e drejtësisë në vend.
Një opozitarizëm i tillë shfaros alibitë e emërimeve për arsye partiake dhe politike ose aq më keq, për motive elektorale, sikundër vlen që edhe shumica aktuale të kërkojë precedentët e fshehura të shërbestarisë politike dhe partiake të shkuar të nëpunësve që para se të raportojnë në institucione, kopjen e parë ia dërgojnë në zyrë ish-kryeministrit apo partisë së tyre.
Denoncime dhe masa të tilla, largojnë dozën e politizimit dhe mbi të gjitha zbusin dasinë partiake në funksionimin dhe cilësinë e shërbimit publik nga administrata dhe krejt nëpunësia e vendit. Opozita e PD-së në këtë pistë ka të gjitha mundësitë të ushtrojë dhe lartësojë profilin e ri të një opozite faktologjike, të një opozite që tejkalon trashëgiminë e opozitarizmit patologjik dhe baltosës, tejkalon atë oratori kënetike të ish-kryeministrit dhe njëkohësisht i heq mundësinë qeverisësit Rama të mos bjerë në “lakun e oratorisë” patologjike dhe gjuhëvrasëse të kundërshtarit politik të rrëzuar Berisha.
Faktet që bëhen argumente dhe dokumente të pashmangshme në një marrëdhënie komunikimi politik mes pozitës dhe opozitës, bëjnë të mundur që vetë politika të udhëtojë në pistën e domosdoshme të konstruktivizmit. Kjo pistë mundëson edhe ardhjen në një kohë të re morali politik mes aktorëve të ndryshëm dhe palëve të kundërta. Në të kundërt, kur braktiset dhe harrohet ky parim, politika i shndërron pistat llogore dhe prej tyre vetëm kapituj konflikti shijojmë. Ikja e opozitës së kryesuar prej zotit Basha nga oratoria patetike politike duke zbatuar oratorinë e denoncimeve faktologjike, qartazi vlen si një mundësi për të korrur frytet e besueshmërisë publike më shpejt nga sa mund të mendohet. Kjo është e vetmja pistë e vlefshme për të shpëtuar edhe nga modeli vjetërak i atit politik të opozitës, të cilin kryeministri Rama mund ta ketë bezdi, ndërsa PD, e kryesuar nga zoti Basha, e ka pengesë më shumë se serioze.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel