Paqe në derbin e kryeqytetit

22/03/2014 00:00

Në një Qemal Stafa të mbushur si asnjëherë tjetër në ndeshjet e kampionatit shqiptar, derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana u mbyll pa fitues.

Ndeshja mes “të kuqeve” dhe “bardhebluve” përfundoi në barazim 1-1. Tirana kaloi e para në avantazh në minutën e 42 të pjesës së parë, kur Morina lëviz mirë brenda zonës mes dy mbrojtësve të Partizanit dhe gjen rrugën e rrjetës.

Pjesa e dytë nis me Partizanin në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Tirana përpiqet të gjejë golin e dytë duke shfrytëzuar kundërsulmin. Pikërisht atëherë kur pritej fërshëllima përfundimtare e gjyqtarit të takimit, një goditje këndi në ekstremet e kohës shtesë, i jep barazimin Partizanit.

Nexhipi kërcen në zonë prek lehtë topin, duke e kaluar atë mbi kokën e mbrojtësve të Tiranës, ndërsa portieri bardheblu, pavarësisht se e preku atë, nuk mund ta devijojë jashtë portës.

Pas këtij barazimi, Partiazni rimerr vendin e dytë, por këtë herë me pikë të barabarta 40, po aq sa Kukësi, ndërsa Tirana ngjitet në kuotën e 28 pikëve, dy pikë më shumë larg zonës së ftohtë. 

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Kukësi mposhti me rezultatin 4-2 Flamurtarin e Vlorës. Për vendasit shënuan Cikalleshi dy gola, Boja dhe Smajli, ndërsa miqtë gjetën rrjetën dy herë me Liçaj dhe Likan.

Top Channel