Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se një pjesë e misionit EULEX duhet të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për të ndihmuar sistemin gjyqësor dhe integrimin e veriut.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur pas raportimeve në media se bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga liderët e vendit që njëherë të kryejnë çështjen e gjykatës për krime lufte dhe të përcaktohen për mandatin e EULEX-it, e pastaj të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të Kosovës.

“E kam pak të vështirë të jap një qëndrim të saktë për këtë çështje, për shkak se ne nuk jemi pjesë e negocimit të projektit të gjykatës. Ne, kohë pas kohe informohemi në mënyra të ndryshme, por nuk jemi palë në tavolinë. Institucionet e sotme të vendit përfaqësojnë këtë temë, por më vjen keq që kjo temë nuk është në përputhje me shumë balanca të ligjit dhe asaj që ka ndodhur në vend”, ka deklaruar Haradinaj.

“Ne kemi mbajtur një qëndrim parimor, të mbrohet Kosova në njërën anë dhe të insistohet që gjyqësori i Kosovës së bashku më partnerët tanë, në këtë rast EULEX-i, të marrin përgjegjësitë”, ka thënë kryetari i AAK-së.

Lidhur me zgjedhjet ai ka thënë se nuk dëshiron që të bëhet me çdo kusht kryeministër, por ka theksuar se u është paraqitur qytetarëve si ofertë për të qeverisur vendin.

Top Channel