
Dortmundi ka shtyrë përkohësisht festimet e Bajernit të Mynihut për titullin kampion të Gjermanisë.
Skuadra e Pep Guardiola-s bëri detyrën duke fituar 0-2 në transfertë ndaj Manzit. Golat u shënuan nga Shvajnshatjger dhe Gëtze në 10 minutat e fundit të takimit. Por fitorja e Dortmundit përballë Hanoverit, me rezultatin 3-0 ka bërë që matematikisht bavarezët të mos gëzojnë kësaj jave.
Në ndeshjet e tjera, Shalke fitoi ndaj Braunshvjegut me rezultatin 2-1, Shtutgarti mposhti 1-0 Hamburgun dhe Volfsburgu me Augsburgun ndanë nga një pikë në barazimin 1-1.
Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fërshëllima përfundimtare e Bundesligës, Bajerni kryeson me 74 pikë, ndjekur nga Dortmundi me 51, Shalke 50 dhe Leverkusen, që luan të dielën, 44 pikë.
Top Channel