ANDREA STEFANI – Jo shumë kohë më parë, në media u raportua ndëshkimi me
gjobë nga policia rrugore i disa deputetëve që parkonin makinat e tyre
në trotuaret përballë godinës së kryesisë së Kuvendit.
I pata parë vajzat police që vendosnin fletët e gjobave mbi xhamat e veturave të përfaqësuesve të sovranit, sepse kishin shkelur një ligj të sovranit. Një dukuri shpresëdhënëse e këmbënguljes për ta zbatuar ligjin barazimtarisht pa bërë dallime se kush është shkelësi i tij. Dhe për disa kohë, makinat nuk u panë të parkuara mbi trotuare. Por dy ditë më parë, ndërsa kaloja pranë Kryesisë, pashë se trotuaret ishin, si kurrë më parë, plot me vetura deputetësh. Dukja është thelb dhe thelbi shfaqet. Sado e vogël në dukje, dukuria shpreh atë që është ngërçi themelor i ndërtimit të shtetit në Shqipëri, moszbatimi i ligjit në përplasje me një hierarki të tërë shtresash sociale që këmbëngulin për dhunimin e tij. Por kur pjesë e kësaj hierarkie transgresore bëhen edhe vetë ligjvënësit, shteti do ta ketë shumë të vështirë, në mos të pamundur të ngrihet. Hë mo se një shkelje e vogël është! Edhe më keq që është e vogël. Se kur deputetët shkelin ligjin për diçka që nuk kushton asgjë ta zbatosh, si mund të pritet të zbatojnë ligjin për gjëra më të mëdha, që u kushtojnë shumë?!
***
Në një rrafsh më të gjerë, problemi që po shqyrtojmë ka të bëjë me mungesën e kulturës së zbatimit të ligjit në shoqërinë shqiptare. Hegel, shkruan diku, se qytetërimin Perëndimor nga ai Lindor e dallon raporti që kanë me moralin dhe me ligjin. Dihet që morali, ndryshe nga ligji, ka të bëjë me disa rregulla që njeriu i zbaton, përgjithësisht, me vullnetin e vet, pa imponim nga jashtë. Janë, si të thuash, të brendësuara në arsyen e tij. Hegeli vërente se, ndërsa te perëndimorët shquhej tendenca që edhe ligjin ta shndërronin gradualisht në moral, te lindorët edhe morali kishte tendencë të shfaqej si një rregull i jashtëm, që i imponohej njeriut nga jashtë. Shkurt, ndërsa në Perëndim tendenca ishte që ligji të shndërrohej në moral, në Lindje morali kishte tendencë të shfaqej si ligj. Ne shqiptarët, pavarësisht vokacionit (më saktë sloganeve) për integrim me Perëndimin jemi, në rrafshin që shqyrtojmë, ende një shoqëri me një mendësi të theksuar Lindore, në të cilën shndërrimi i respektimit të ligjit në etikë, thuajse nuk ekziston si prirje. Por falë edhe pandëshkueshmërisë kronike, po humbet edhe kuptimi i ligjit si një forcë që i imponohet njeriut nga jashtë. Ligji shfaqet i pafuqishëm, i shpërfillur. Ndaj tendenca e dhunimit të ligjit thuajse ka fituar të drejtën e qytetarisë. Kush shkel ligjin jo vetëm nuk ndëshkohet, por pasurohet, madje bën edhe karrierë. Kush nuk dhunon ligjin, humbet shanset e përparimit dhe begatisë. Shteti është kthyer me kokë poshtë. Në fakt, në këto dy dekada, thuajse gjithçka, karriera, pasuria, lavdia, pushteti janë themeluar, më së shumti, mbi shkeljen e ligjit.
***
Shkelja e ligjit nga deputetët që parkojnë në trotuar, është tregues kulmor i përmbysjes së raporteve që shoqëria mban me ligjin. Në media ka dalë edhe një lajm se, pas marrjes së gjobave nga policia, deputetë të të gjitha ngjyrave i ishin qarë edhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Shtrohet pyetja: Mos vallë edhe fakti që makinat nisën të parkohen përsëri përballë Kryesisë së Kuvendit në kundërshtim me ligjin është shfaqje e pushtetit mbi ligjin që na paska Kryetari i Kuvendit? Pyesim, sepse nuk jemi të sigurt që ka ndodhur pikërisht kështu. Por po të jetë kështu, atëherë do të qe edhe më keq! Aspirata e shtetit ligjor nuk lejon që qoftë edhe një njeri i vetëm, të ketë fuqi të qëndrojë mbi ligjin. Dhe politikanë e pushtetarë, që shpallin se kanë për objektiv ndërtimin e shtetit ligjor, duhet ta faktojnë devocionin e tyre ndaj zbatimit të ligjit edhe me vetë shembullin e tyre. Ligjvënës që shkelin ligjet që ata vetë i kanë aprovuar në emër të sovranit popull?! Tolerime të tilla e kanë shndërruar shtetin ligjor në Shqipëri në një komedi për europianët dhe në një tragjedi për shqiptarët.
***
Është kanceroze për shtetin që të tolerohet një dhunë kaq e hapur, kaq spektakolare e ushtruar kundër ligjit nga ata që janë votuar prej shqiptarëve që ta mbrojnë atë. Është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet vendit në këto kohë, kur ai ka nevojë të ngrejë në piedestal ligjin e poshtëruar. Krahas aktivizimit të drejtësisë së pavarur, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë, edhe elita shoqërore dhe politike duhet të japë kontributin për lartësimin e ligjit, duke dhënë shembullin e saj. Mjerisht ajo po bën të kundërtën. Por pikërisht pse tolerimi i shkeljes së ligjit shndërrohet në kancer që ha shtetin ligjor, kudo në Perëndim, opinioni publik dhe institucionet janë ekstremisht intolerantë veçanërisht me zyrtarë të lartë shtetërorë, kushdo qofshin ata. Tetorin e kaluar, Hillari Klinton u dënua në Londër me 80 paund gjobë nga një polic, sepse stafi i saj nuk kish paguar tarifën e parkimit të makinës. Dhe përse nuk duhet ta gjobiste polici londinez edhe një figurë me përmasa të tilla, kur për ligjin janë njësoj të gjithë? Po të kish guxuar të vendoste një gjobë të tillë ndonjë polic në Tiranë, rrezik të shpallej provokator dhe prishës i miqësisë shqiptaro-amerikane. Policët në Shqipëri janë përherë nën kërcënimin e arrogancës së të fortëve me pushtet, të cilët mezi ç’presin që të qenët “ndryshe” nga qytetarët e zakonshëm ta demonstrojnë te të qëndruarit mbi ligjin. Ashtu si Akilin nuk e kapte shigjeta, edhe këta gjysmëperëndi të politikës nuk i kap ligji. Vërtet të tillë zyrtarë e deputetë janë ndryshe nga qytetarët e tjerë. Ata nuk janë qytetarë!
Top Channel