Derbi Partizani-Tirana

21/03/2014 00:00

Rikthehet në këtë fundjavë derbi më i madh i futbollit shqiptar, ai mes
Partizanit dhe Tiranës. Pasi kanë ndarë nga një fitore secila në këtë
sezon, në këtë fazë të tretë të dyja skuadrat e pretendjnë si të sigurtë
fitoren.

Tek Partizani atmosfera mbetet e qetë, por të gjithë janë të motivuar se këtë herë nuk do të gabojnë si në derbin e shkuar. “Ne do përballemi në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin ritëm dhe profesionalizëm. Ndoshta për tifozët është diçka më e ndjeshme, por për ne është një sfidë si të gjitha të tjerat dhe do të luajmë si gjithmonë”, deklaron trajneri Marsio Sampaio.

Ndërkohë që tek Partizani do të mungojë për derbin sërish sulmuesi Memelli, tek Tirana ka dy mungesa të rëndësishme: Ndikumana, i pezulluar për kartona dhe Kahata, i cili ka një dëmtim. Bardheblutë janë në heshtje shtypi. Për ta objektivi i mbijetesës ëshë i tejkaluar tashmë edhe pse ndodhen shumë pranë zonës së ftohtë.

Organizatorët e kësaj ndeshjeje të Partizanit po përgatiten për një festë. Përpara takimit mendohet të ketë koncert me këngëtarë të njohur, ndërkohë që në pushim të ndeshjes kompania DigitAlb do të ofrojë një shorte për karta rimbushëse falas, me bileta që tifozët do t’i marrin në hyrje të stadiumit.

Sa i përket biletave, ato kanë një shitje me ritme shumë të larta, dy ditë para ndeshjes dhe janë shitur rreth 8.000 bileta vetëm në njërën pikë shitjeje. E mes këtij ritmi, organizatorët luten që tifozët të jenë të pranishëm të paktën një orë përpara ndeshjes në stadium, për të mos lënë gjithë rrëmujën për momentin e fundit.

“Ne jemi sot dhe nesër hapur. Tifozët duhet të vijnë të sigurojnë biletat që të mos e lënë për minutën e fundit. Krahasuar me derbin e kaluar janë 1 mijë bileta më tepër, që përkthehet 20 për qind më shumë”, ka sqaruar një shitës.

Top Channel