Shorti i Champions League prodhoi përballjet vërtet interesante ditën e premte, me supersfidën Bajern-Manchester United, derbin spanjoll Barcelona-Atletico, rikthimin e sfidës Real-Borussia dhe takimin Paris SG-Chelsea.
Pas shortit, këto ishin reagimet e protagonistëve kryesorë:
Philip Lahm (kapiten i Bajernit): “Nuk duhet të ndihemi favoritë prej pozicionit që ata kanë në kampionat. United ka disa futbollistë të mrekullueshëm”.
Mathias Sammer (anëtar i këshillit drejtues të Bajern): “Në ditët e tij të mira, United është shumë i rrezikshëm. Shpresojmë që të mos rastisin dy ditë të mira për ta”.
Jean-Cleade Blanc (drejtor i përgjithshëm i Paris SG): “Chelsea ka një trajner të madh dhe futbollistë të mëdhenj. Fakti që luajmë ndeshjen e parë në shtëpi nuk është një avantazh, duhet të bëjmë një punë të mirë menjëherë. Premio një milionë euro për futbollist? Nuk ësht e vërtetë”.
Laurent Blanc (trajner i Paris SG): “Kthimi në Londër përbën një avantazh për Chelsea. Nevojitet që të krijojmë një diferencë në ndeshjen e parë brenda”.
Emilio Butragueno (drejtues i Realit): “ASnjëherë nuk i dihet nëse shorti është i lehtë apo i vështirë. U përballëm me Borussian vitin e shkuar dhe na eliminuan. Janë shumë të rrezikshëm”.
Hans-Joachin Watzke (president i Borussias): “Do të kisha preferuar një kundërshtar tjetër, të paktën sa për të ndryshuar shijen. Jemi përballur katër herë me Realin vetëm gjatë vitit të shkuar”.
Gabi (mesfushor i Atleticos): “Na takon të luajmë ndaj skuadrës më të fortë të mundshme. E kanë treguar këtë në gjashtë vitet e fundit dhe po mrekullojnë botën me futbollin e tyre. Statistikat janë në favorin e tyre”.
Andoni Zubizarreta (drejtor sportiv i Barcelonës): “Atletico është një prej skuadrave më të forta të Europës për momentin. Short pozitiv? Duke qenë një skuadër spanjolle, i njohim mirë dhe do të dimë si të luajmë ndaj tyre”.
David Moyes (trajner i Manchester United): “Bajerni? Short shumë i vështirë, por presim me padurim t’i sfidojmë. Kam arritur të sjell skuadrën deri në çerekfinale, tani objektivi është gjysmëfinalja”.
Top Channel