Seanca parlamentare ka kapërcyer etikën dhe gjuhën formale të komunikimit në institucionin e legjislativit. Më shumë se diskutimi për rendin e ditës, atje ka dominuar gjuha e ashpër e fyerjeve nga ish-kryeministri Berisha.

Ndërsa mori fjalën për të denoncuar atë që quajti “marrëveshje të fshehtë” të qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që sipas Berishës parashikon ngrirjen e pagave të administratës dhe rritjen e 10 taksave ku përfshihen edhe uji dhe energjia elektrike, diskutimet e tij u përqendruan në sulmet personale ndaj kryeministrit Edi Rama, duke çuar në debatin parlamentar të mëpasshëm përtej atij etik.

“Ai (Rama) u nxorr nga mbledhja e parë e Këshillit të Iniciativës të Formimit të PD-së sepse qelbej në erë. Ai është një zhuls, që vetëm ai e di dhe shfrytëzon postin e kryeministrit me gjuhë ordineri”, deklaroi Berisha.

“Për ata që kanë ardhur në Tiranë pas viteve ’90 po tregoj një histori. Në rrugët e Tiranës endej një njeri që quhej Shaban Qosja, i cili kur s’merrej njeri me të vërshonte drejt njerëzve. Edhe ju jeni bërë si Shaban Qosja, merrni fjalën dhe filloni e akuzoni”, u përgjigj Rama.

Nga ana e tij, kryeministri e cilësoi spekullim të opozitës marrëveshjen e fshehtë me FMN-në. “Saç ishte e vërtetë ajo e naftës, aq janë të vërteta gjithë këto broçkullat për FMN, për marrëveshjet e fshehta dhe të gjitha me rradhë”, deklaroi Rama.

Opozita, pasi kërkoi që marrëveshja me FMN-në të hyjë në rendin e ditës, është larguar nga seanca duke iu përmbajtur vendimit të saj për një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin.

“Duhet të ruajmë etikën në Parlament. Ju lutem, sepse nuk është hera e parë. Aq më tepër sot, kur është Dita ndërkombëtare e lumturisë, këto gjëra nuk shkojnë”, deklaroi kryetari Ilir Meta.

Ndërsa kreu i Kuvendit kërkoi rikthimin e etikës së komunikimit në sallë, kryetari i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafa i kërkoi të mos zbatohen dy standardet në Parlament, kur më herët deputetë të ish-opozitës së majtë u penalizuan për deklarime jo etike në Kuvend.

Nga ky standard i rregullores, tha ai, nuk duhet të përjashtohet as ish-kryeministri Berisha. “Është turp për Parlamentin të vazhdojë me këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuhë e denjë për njerëz të zakonshëm. T’i kthejmë dinjitetin Parlamentit”, deklaroi Xhafa.

Top Channel