ALEKSANDËR ÇIPA – Ka kohë që në bisedat e lira, sidomos në rrjetet
sociale dhe hapësirën e internetit, kritikohen dhe përgojohen me një
gjuhë barbarësh opinionistët dhe panelistët e mediave vizive.
Në kritikën e mbuluar me një gjuhë fyese dhe zhargon të pacipë, e drejtë mbetet vetëm shumëshfaqja dhe koha inflacioniste e një grupi opinionistësh nëpër ekrane. Ndonëse duhet thënë hapur se gjithë ne që shfaqemi në këtë cilësi nëpër ekrane, respektojmë së pari ftesat dhe natyrisht planifikimin që bëjnë moderatorët e emisioneve në ekranet tona. Ndërkohë që e dimë fort mirë se sa e nevojshme është të ketë zëdhënësi publike. Madje edhe në rastet kur nuk respektohet ky parim ose shërbim publik, së paku identifikohen disa prej opinioneve që mbart publiku ose grupet e interesit për çështjet dhe temat për të cilat ngrihet debati televiziv. Mirëpo ndërsa këtu mbaron e drejta e këtyre kritikëve dhe pas kësaj, gjuha e tyre barbare është shprehja më flagrante e së keqes që shkon deri në patologji, në komunikimin informal publik. Një gjuhë e tillë, fatkeqësisht, po uzurpon vokalin publik, po merr padrejtësisht edhe atributet e shënjimit negativ të imazhit të shoqërisë, e cila duket se po dominohet nga brutaliteti dhe mungesa e elitës, sikundër po perceptohet si një shoqëri ku “derri dhe dosa zënë sa vend u duhet”.
Në fakt, ikja e elitës nga aktivizimi dhe artikulimi në dimensione publike, për çështjet dhe problemet publike, është thjesht një akt dhe sjellje e njohur në kohë të ndryshme dhe rrethana të tilla, në shoqëritë fqinje dhe ato të Perëndimit. Ngjet sepse, siç e shkruan diku Balzaku: kur ngjiren lumpenët, arsyeja është mërguar te të diturit e heshtur.
Në Shqipërinë e tranzicionit, heshtja e të diturve shënon kohën tronditëse. E dinë lehtësisht se janë të padëgjueshëm, pavarësisht asaj që thonë dhe se si e thonë. Ky fatalitet ka marrë formën e bindjes te shumëkush që është i investuar dhe i mirinformuar në fushën e dijeve apo të profesionit të vet. Ky është varianti tjetër i realitetit me padëgjueshmëri, sikundër ai i pandëshkueshmërisë dhe i të pandryshueshmes.
Ka 25 vjet që rreth 20 mijë studentë shqiptarë për çdo vit, ndjekin universitetet e botës dhe pas 20 vjetësh ende nuk po krijohet kontrasti i fuqishëm mes gjeneratës që shkëlqen si e ardhur nga standardi i BE-së, Amerikës apo gjetkë dhe asaj që është kequshqyer në këtë mjedis dhe terren anarkik e kaotik shqiptar. Në këtë ndërkallje të kontingjentit alla shqiptar dhe atij të ardhur dhe trajtuar si alla europian apo alla amerikan, nuk është bërë e mundur që të krijohet një kontrast i fuqishëm konkurrentësh apo mes dy apo trepalësh teknicienësh të ardhur për të njëjtën shoqëri nga shkolla dhe përvoja të ndryshme. Shumëkush në interpretimet e deritanishme fajin ia ka lënë kastës politike, e cila klasë nuk bëhet dot, dhe krejt sistemit politik të tranzicionit, që vetëm sistem nuk është.
Por pre e kësaj mendësie dhe e këtij realiteti të prodhuar, mesa duket kanë rënë edhe hisetë e tjera të elitës së një shoqërie moderne dhe me investim të vrullshëm postkomunist në Shqipërinë e këtyre 24 vjetëve. Mëkatet e kastës politike janë përshkruar dhe rinumëruar kohë pas kohe në këtë aspekt. Por mëkati i elitës për heshtjen apo mërgimin e saj në heshtjen oportune dhe frikacake, në jo pak kohë, ka shkaktuar kosto dhe drama për shoqërinë, shtetin dhe krejt vendin.
Ditët e fundit, mediat dhe debati publik u uzurpua nga lajmet për militantët islamikë që rekrutohen në rrethana dhe mjedise ende të pasqaruara për të qenë në frontin aq të korkolepsur në Siri. Një rekrutim që u zbulua me kaq vonesë dhe që, sipas të gjitha gjasave, ka për të qenë edhe më i pazbardhur në dimensionet reale, në rrjetin e tij të plotë dhe në përfshirjen deri në ç’kategori dhe prej ç’besimtarësh u krye dhe u iniciua!? Një zbulim i vonuar që na zuri sytë me një problem kompleks, në të cilin shoqëria dhe vendi i të ashtuquajturit “model i bashkëjetesës fetare”, befas kupton sesa farë dhe mundësi ekstremizmi e pse jo edhe terrorizmi, ka brenda vetes. Një realitet i tillë kaq tronditës, pas pyetjeve kritike dhe konstatimit të ashpër për funksionimin e shtetit dhe syçeltësisë së institucioneve të shërbimeve inteligjente, na zgjon edhe një adresim ndaj institucioneve dhe klerikalizmit shqiptar. Në vendin e “bashkëjetesës model të besimeve fetare”, kemi klerin dhe institucionet fetare më hermetike në rajon. Në 10 vjetëshin e fundit, në ekranet kryesore të televizioneve të Shqipërisë ka jo më shumë se 12 herë shfaqje të klerikëve kryesorë të besimeve, ndër të cilat në nivele të dyta të këtij përfaqësimi vetëm 5 herë mes tyre ka pasur diskutime dhe shkëmbime mendimesh për çështje specifike dhe tema të interesit publik për të drejtën fetare dhe besimet në vend. Një tregues i qartë i drojës së vetë mediave për të mos prekur kësi tabush. Sikundër edhe një regjim hermetizmi që në selitë kryesore të tri besimeve më potenciale në vend, po trashëgohet dhe kultivohet si e vetmja mundësi për të mos “dalë çështjet jashtë institucioneve”. Në jo pak raste, për kësi temash dhe çështjesh me rezonancë të fortë publike, kryeklerikët kanë gjetur si alibi “mosrënien pre të nacionalizmave”, ndërkohë që na rezultoka se në disa xhami, pse jo mund të ketë edhe kisha që të predikohet për një lloj internacionalizmi religjionar, sikundër u mësua në rastet e imamëve të periferisë në Tiranë.
Ndërsa në ndonjë rast edhe kanë shfaqur prepotencë, duke ia dalë të cenojnë deri edhe brendinë e të qenët në një shtet sekular.
Këto besime dhe krejt institucionet e klerikalizmit shqiptar sot nuk po ia dalin të evidentojnë vlerat dhe kulturën e tyre elitare. Klerikë muhamedanë shqiptarë në kohë të ndryshme kanë dëshmuar kapacitete dijesh dhe inteligjencie, kanë qenë sjellës dhe shtues të produktit kulturor e filozofik nga hapësirat e besimit të tyre dhe trashëgimia e islamizmit shqiptar në shekuj. Sikundër klerikët françeskanë në Shkodër mbeten adhurueshëm dijetarë dhe sjellës të një letërsie të lartë europiane. Meritat dhe cilësitë e tyre spikatën si vlera të papërsëdytshme të kulturës dhe mendimtarisë shqiptare. Ndërkohë që kryekleriku i dikurshëm, Fan Noli, apo klerikë të tjerë ortodoksë shqiptarë, u bënë themelues të mbrothësisë për një kulturë dhe elitë me ndikim në grigjën e tyre dhe në hapësirën shqiptare.
Sot, kur shoqëria dhe postmodernizmi sjellin dhe mbartin rrethana më mundësuese, situata paraqitet më kritike dhe cilësia intelektuale e klerikalizmit tonë, duket se është në diferencë përmbajtësore me traditën. Fanatizmi po shtohet dhe hermetizmi klerikal gjithashtu. Kultura dhe shkolla e oratorisë predikuese nëpër kishat, xhamitë dhe objektet e tjera të kultit jo vetëm shpesh paraqiten mjerane, por në jo pak raste ajo uzurpohet nga dërgues e dërgata, misionarë dhe klerikë që mëtojnë devijime e fraksionime me pasoja afatgjata.
Prej kësaj problematike dhe interesi publik, ikin së pari të diturit dhe klerikët e kulturuar. Kjo ikje mund t’u ofrojë atyre një oportunitet rehatues, por vendit dhe shoqërisë i ofron befasi dhe të panjohura tinëzare për të sotmen dhe të ardhmen e bashkëjetesës dhe të besimeve tona.
Top Channel