Ish-presidenti i Realit të Madridit, Ramon Calderon beson që ka një dorë të zezë që po dëmton karrierën e Iker Casillasit.
Sipas tij, është e pamundur që pas Mourinhos, edhe Ancelotti të ketë marrë “një vendim teknik” për të lënë jashtë kapitenin e përfaqësues spanjolle dhe kjo e bën atë që të jetë i bindur se urdhëri vjen nga shumë lart.
“Ancelottit i është thënë që të lërë në stol kapitenin. Ka një dorë të zezë që ka organizuar gjithçka. Të gjithë thonë se Casillas është portieri më i mirë në botë, por luan vetëm në Champions dhe kjo është diçka gati e pashpjegueshme”, tha Calderon.
“Jam i sigurt që ky nuk është një vendim i marrë nga trajneri. Iker po bën një punë shumë të mirë. Fakti që Diego Lopez është gjithashtu një portier i shkëlqyer shmang shumë debate, por e vërteta është kjo që po them unë”, shtoi ish-presidenti.
Mbi klasiken e fundjavës, të cilën do ta ndjekë nga televizori, Calderon shtoi: “Shpresoj shumë që të shohim Realin më të mirë. Në një ndeshje si kjo, e rëndësishme është vetëm fitorja. Mënyra ka pak rëndësi”.
Top Channel