
Zgjidhet për të paktën 3 vitet e ardhshme problematika e zgjerimit të
varrezave të Tufinës dhe Sharrës, pas një vendimi të qeverisë.
Detajet i dha ministri Saimir Tahiri, i cili gjithashtu njoftoi edhe formimin e një grupi pune nga qeveria për t’i dhënë zgjidhjen e nevojshme kësaj problematike jo vetëm për Tiranën, por edhe në të gjithë vendin.
“Sot qeveria miratoi vendimin për shpronësimin e pronarëve që preken nga rehabilitimi i varrezave Sharrë e Tufinë. Fondi është mbi 5 milionë lëkë. Bëhet fjalë për 36 mijë metra katrorë, përkatësisht 10 mijë metra katrorë në Sharrë dhe 26 mijë në Tufinë. Nëse administrata e kaluar nuk do ishte marrë me SHQUP-in dhe do ishte marrë me qytetarët që ky shërbim të mos kthehej në problem, kjo çështje nuk do të vinte deri sot”, deklaroi Tahiri.
Ndërkohë, nërpmjet një njoftimi, Bashkia e Tiranës shprehu keqardhjen për justifikimin e pavërtetë të ministrit Tahiri për bllokimin e shpronësimit për varrezat publike të kryeqytetit. “Sot, paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe bllokimin absurd, ministri u mundua ta fshehë duke sulmuar Bashkinë e Tiranës”, thuhet në njoftim.
Në komunikimin me median, ministri Tahiri tha se një tjetër vendim i qeverisë lidhet me pranimin në shkollën e policisë pa konkurs të të gjithë fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Ndërsa ministri Shkëlqim Cani njoftoi vendimin tjetër për heqjen e taksimit të dyfishtë për ato biznese që kryejnë aktivitet në Shqipëri dhe Kosovë.
Një tjetër vendim i ekzekutivit, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, është transferimi i fondit për të ndihmuar në funskionimin normal të maternitetit të Preshevës, një angazhim ky i dalë nga mbledhja e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare në Prizren.
Top Channel