Manchester United nuk ka zhgënjyer tifozët e vet, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 në “Old Trafford” kundër grekëve të Olympiacos, e duke siguruar në këtë mënyrë një biletë për në çerekfinalet e Champions League.
Edhe pse grekët kishin fituar 2-0 në ndeshjen e parë të luajtur në shtëpinë e tyre, kanë qenë tri golat e Van Persi-t, ato që i kanë siguruar “djajve të kuq” fitoren.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së të mërkurës, gjermanët e Borussia Dortmund, edhe pse janë mundur në shtëpinë e tyre me rezultatin 1-2 nga Zenit St. Petersburg, kanë arritur të sigurojnë kualifikimin, falë fitores 4-2 në takimin e parë në Rusi.
Me përfundimin e këtyre ndeshjeve është kompletuar edhe tetëshja e skuadrave çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve. Ndërkaq, pritet që ditën e enjte në mesditë, në Nion të Zvicrës, të hidhet shorti për përballjet çerekfinale, ndeshje këto që do të luhen më 1 dhe 2 Prill, ndërsa takimet e kthimit një javë më pas, më 8 dhe 9 Prill.
Top Channel