Dhuna, dorë e hekurt e FSHF-së, rrëzohet Bylisi

19/03/2014 00:00

Dorëheqja e Besnik Kapllanajt nga posti i Presidentit të Bylisit nuk e ka shpëtuar skuadrën ballshiote nga ndëshkimi më i ashpër i dhënë ndonjëherë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit; përjashtimin nga kategoria superiore.

Komisioni ka vendosur përjashtimin e menjëhershëm të Bylisit dhe rrëzimin e tij një kategori më poshtë, ndërsa skuadra e Laçit ka marrë në tavolinë fitoren 3-0.

I pakursyer ka qenë edhe dënimi ndaj tashmë, ish-presidentit të ballshiotëve, Besnik Kapllanaj. Komisioni ka vendosur përjashtimin e përjetshëm të tij nga të gjitha aktivitetet sportive në vend.

Kapllanaj akuzohet si autori i dhunës së ushtruar ndaj Shefit të Sektorit të Garave në FSHF-së në ndeshjen Bylis-Laçi, këtë fundjavë. I dërguari i FSHF-së në këtë takim, Besnik Çela është goditur me sende të forta në kokë. Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më vonë ka ngritur padinë ndaj presidentit të Bylisit.

Ky ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës, ndërkohë që pritet apelimi i skuadrës së Bylisit tek Komisioni i Apelit.

Paraditen e së mërkurës, Besnik Kapllanaj ka dhënë dorëheqjen nga klubi dhe ka deklaruar se do të paraqitet të polici.

“Do të vetëdorëzohem në polici. Nuk e dija që isha në kërkim për ngjarjen e së shtunës. Jap dorëheqjen pasi e shikoj se ka shumë padrejtësi”, ka deklaruar Kapllanaj për mediat.

Ai akuzohet se ka goditur me mjete të forta në kokë të dërguarin e FSHF-së, Besnik Çela. Procedimi penal ndaj tij ka filluar për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Top Channel