Rumania jep sinjale për Kosovën

18/03/2014 00:00

Bukureshti jep sinjale për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo u la të kuptohet pas takimit që kryeministri rumun, Viktor Ponta pati në Tiranë me homologun, Edi Rama.

Gjatë bisedimeve Kosova ka qenë një e vecantë, ku Rama por edhe Ministri i Jashtëm Bushtati, kanë kërkuar njohjen e shtetit të Kosovës nga ky vend i BE-së.

“Diskutuam edhe për Kosovën. Sic edhe kryeministri Rama e di që Kosova  në Rumani është një cështje që ngjall polemika. Pozicioni final i Rumanisë për këtë cështje do të përfundojë pas një bashkëpunimi mes Presidencës, Qeverisë dhe Parlamentit. Por unë mund të flas në emër të qeverisë, e cila në të gjitha rastet e ka mbështetur zhvillimin e institucioneve të Kosovës.  Dhe nga pikëpamja e qeverisë së Rumanisë, një Kosovë dhe një Serbi anëtare e Bashkimit Europian do të jetë zgjidhja më e mirë. Në fakt kjo është edhe e ardhmja për të gjithë rajonin”, tha Kryeministri rumun.

Ndërkohë, Rama homologun rumun me origjinë nga Voskopoja e quajti një mik të shqiptarëve, si edhe një pikë referimi për sukseset në ekonomi.

“Një nga celësat e suksesit ekonomik të qeverisë së Viktor Pontës është zhbllokimi i shumë fondeve të lidhura me Bashkimin Europian dhe padyshim që përvoja dhe ekspertiza rumune në këtë drejtim do të jetë për ne një mbështetje dhe pikër referencë e fortë për të përfituar në mënyrë sa më efikase nga instrumentat e integrimit. Një tjetër histori suksesi në Rumani është lufta me krimin e organizuar. Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që na ofrohet një ndihmë e drejtpërdrejtë për të rritur më tutje cilësinë e kapitalit njerëzor që është në Policinë e Shtetit dhe që merret drejtpërdrejtë me krimin e organizuar” , deklaroi Kryeministri Rama.

Të dy kryeministrat të pyetur nga Top Channel për deklaratën e presidentit Putin se Krimea është cështje e ngjashme me Kosovën u shprehën se ai ishte një pretendim pavend.

Duke u ndalur tek ngjarjet e fundit nga Ukraina, si Rama ashtu edhe Ponta vlerësuan se deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin që krahason Krimenë me Kosovën është e pavend.

Nga ana e tij, Victor Ponta garantoi Ramën për votën pro të Rumanisë për dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë, pavarësisht se disa vende, sic tha ai, deklarojnë se Shqipëria nuk është gati.

“Rumania është pro marrjes së statusit në muajn qershor. Ka vende europiane që deklarojnë se Shqipëria nuk është gati për t’i integruar. Duam ta ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian dhe për këtë do të ofrojmë njohuritë tona në luftën kundër krimit të organizuar, që është thelbësore për cdo qeveri demokratike. Ka një potencial ekonomik që ende nuk është shfrytëzuar sic duhet mes dy vendeve”, tha Ponta.

Rumania është ndër pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. I pyetur për këtë, kryeministri rumun tha:

“Ne kemi mbështetur ngritjen, organizimin dhe zhvillimin e institucioneve shtetërore në Kosovë dhe për ne zgjidhja më e mirë do të ishte Kosova dhe Serbia të integruara në Bashkimin Europian”.

Top Channel