Reali për rekorde, Chelsea nderon “ish”-in

18/03/2014 00:00

Një ndeshje me pak më shumë impenjim se sa një stërvitje për Realin, ajo e kthimit në “Bernabeu” kundër Schalke 04.

Pasi kishte siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Champions League falë fitores tenistike 6-1 në Gjermani, ekipi i Ancelotti-t imponohet edhe në Madrid, pavarësisht se luan me 8 lojtarë të rezervave që nga minuta e parë e takimit.

Protagonist mbetet si gjithmonë Ronaldo, me 2 gola të shënuara, të cilat i japin mundësinë të arrijë Puskas në vendin e katërt të shënuesve më të mirë me fanelën e “merengues”-ve (242 gola), si dhe e lënë yllin portugez vetëm 1 gol larg rekordit sezonal të golave të shënuar në Champions, të mbajtur aktualisht nga Messi dhe Altafini.

Rezultati ishte 3-1, me golin e shënuar nga Morata, i cili luan sërish titullar pas 3 muajsh, ndërsa një ndeshje e keqe për Jese, i cili lë fushën e lojës pas vetëm 2 minutash, për shkak të këputjes së ligamentit të gjurit të djathtë, duke rrezikuar kështu një ndalesë prej 6 deri në 9 muaj.

Për Schalke 04, që u kujdes më shumë të mos pësonte një tjetër disfatë si ajo në “Gelsenkirchen”, barazoi përkohësisht Hoogland, pas një gjuajtjeje të devijuar edhe nga Sergio Ramos.

“Los Blancos” e kalojnë vëmendjen tashmë në “El Clasico”-n e ditës së diel, që do të zhvillohet ndaj Barça-s në “Bernabeu”.

Në takimin tjetër, një ndeshje spektakolare, e cila nisi dhe përfundoi me duartrokitje në “Stamford Bridge”, shtëpinë e Chelsea-t. “Blutë” e Londrës mposhtin 2-0 Galatasaray-n, duke siguruar kështu kualifikimin për në çerekfinalet e Champions.

Duartrokitjet e para ishin rezervuar nga publiku i “bluve” për ish-sulmuesin londinez nga Bregu i Fildishtë, Drogba, i cili u përlot nga një pritje shumë e merituar dhe po aq e papritur, si një shenjë e rrallë e mirënjohjes për atë çfarë bëri në Londër, si futbollist.

Ndërsa në fund, duartrokitjet iu rezervuan të gjithë skuadrës së drejtuar nga Mourinho, i cili dominoi ndaj rivalëve të drejtuar nga Mancini, pas atij barazimi 1-1 në Stamboll, 2 javë më parë. Sa i përket ndeshjes, shënuan Eto’o dhe Cahill për “djemtë” e Mourinho-s.

Ndërkaq, sot priten të luhen dhe dy sfidat e mbetura nga kjo fazë, ajo mes Borussia Dortmund dhe Zenit St. Petersburg, si dhe sfida tjetër mes Manchester United dhe Olympacos-it të Pireut, ku dhe do të përcaktohen skuadrat që do të bashkohen me Barcelonën, Paris St. Germain, Atletico Madrid, Bayern Munchen, Real Madrid dhe Chelsea, në turin e çerekfinaleve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA