“Kreu i AKU, falsifikator pijesh”

18/03/2014 00:00

“Edi Rama flet gjerë e gjatë për meritë e profesionalizëm, merr shembuj nga Britania e Franca e citon Konicën, por kur vjen puna për emërimet e rëndësishme në poste delikate dhe me përgjegjësi të madhe publike, ai i var ujkut mëlçitë në qafë”.

Këtë akuzë Partia Demokratike e bëri për të denoncuar emërimin e në krye të Agjensisë Kombëtare të Ushqimit të Aleksandër Kalemajt, i cili sipas opozitës është arrestuar nga policia gati dy vjet më parë me akuzën ‘e prodhimit dhe shitjes së pijeve të falsifikuara’.

Duke sjellë në vëmendje akuzat e ngritura nga policia në atë kohë për drejtorin aktual të Agjensisë Kombëtare të Ushqimit, Partia Demokratike thotë se ky është një fakt i rëndë i keqqeverisjes së shqiptarëve.

“Pak më shumë se 1 vit më parë, Kalemaj është arrestuar nën akuzat:“Prodhim dhe shitje të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin” “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve” “Kontrabandë me mallrat që paguajnë akcizë”. Policia i gjeti Kalemajt 300 litra alkool të prodhuara në mënyrë të paligjshme 50 litra konjak të prodhuar në mënyrë të paligjshme, 120 litra birrë të prodhuar në mënyrë të paligjshme, Policia i gjeti Kalemajt mijëra etiketa me të cilat falsifikonte pijet dhe ushqimet që prodhonte në mënyrë të paligjshme. Edi Rama e gjeti këtë person të zhytur në paligjshmëri, si më të përshtatshim për ta bërë përgjegjës të sigurisë ushqimore në vend. Kjo është rilindje”, tha deputetja e PD, Voltana Ademi.

Denoncimi i PD për AKU
Akuzoi Aleksandër Kalemajn, por drejtor është Afrim Bakaj

Partia Demokratike denoncoi emërimin në krye të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit të Aleksandër Kalemajt, i cili sipas saj është arrestuar nga policia gati dy vjet më parë, me akuzën e prodhimit dhe shitjes së pijeve të falsifikuara.

Për PD-në, ky është një fakt i rëndë i keqqeverisjes. Por, drejtor i AKU-së është zoti Afrim Bakaj, ndërsa personi, i cili denoncoi opozita, është përgjegjës sektori në këtë institucion.

Top Channel