
Në të gjithë rrethin e Gjirokastrës janë të njohura zyrtarisht vetëm dy
pika therjeje prej të cilave mbërrijnë çdo ditë në treg rreth 60-70
krerë të imëta dhe 5-6 viça, sasi që nuk mund të përbëjë konsumin e
vetëm ditor për një popullsi prej 45 mijë banorësh të qytetit të
Gjirokastrës.
Këto pika kontrollohen nga dy veterinerë nën varësinë e pushtetit lokal, të vetmit që mund të garantojnë mbërritjen e sigurtë të mishit në treg. Pika të tjera therjeje të paligjshme dhe të rrezikshme sipas specialistëve gjenden gjithandej në zonat rurale përreth dhe në qytet, por situata sipas specialistëve mbetet e vështirë për t’u kontrolluar.
AKU në Gjirokastër ka sekuestruar dhe asgjësuar 220 kg mish që shitej pa vulën veterinare ndërsa ka vendosur 10 gjoba me vlerë nga 50 deri 100 mijë lekë, të lidhura kryesisht me kushtet higjienike të tregëtimit të mishit.
Në mungesë të një thertoreje të mirfilltë specialistët kanë evidentuar raste të therjeve në mjediset e tregtimit ndërsa kanë paralajmëruar për mbyllje të aktivitetit për të gjithë tregtarët që do të kapen duke tregëtuar në këtë formë. Në të gjithë rrethin gjenden 39 pika të licensuara të tregëtimit të mishit, ndërsa specialistët pohojnë se sasi të mëdha mishi konsumohen nga fermerët për nevojat e familjeve të tyre, apo tregtohen jashtë çdo kontrolli veterinar.
Top Channel