Pas disa ndeshjesh të vakëta, Barcelona duket se është rikuperuar me kualifikimin në çerekfinalet e Champions League përballë Manchester City dhe me goleadën 7-0, të shënuar përballë Osasunës.
Megjithatë, prova e vërtetë për katalanasit do të regjistrohet të dielën e ardhshme, ku në “Santiago Bernabeu” ata do të ndeshen me Realin e vendit të parë, në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare në luftën për titullin kampion.
“Presim një përgjigje të mirë dhe një rezultat pozitiv që do të na lejojë të vazhdojmë të luftojmë për titullin. Ndihemi në formë dhe kemi një mundësi të mirë. Luajmë si vizitorë dhe Reali është një superskuadër, por ne do të mbërrijmë në Madrid me shumë besim. Do të jetë e vështirë, por gjithçka varet nga ne dhe e dimë që mund t’ia dalim. Jemi të vendosur të luftojmë për mbrojtjen e titullit deri në fund”, tha argjentinasi.
Së fundmi, kanë qarkulluar edhe një seri zërash për largimin e mundshëm të tij. “Nuk ka asgjë të vërtetë. Përsa kohë klubi do të dojë, unë do të qëndroj këtu. Dua të tërhiqem duke mbrojtur këtë fanelë”, shtoi Messi.
Ndërkohë, për Barcelonën, transferta në Madrid vjen me një lajm të mirë, me riaftësimin në kohë të qendërmbrojtësit Gerard Pique.
Top Channel