Drogba: Në Londër për të eliminuar Chelsea

17/03/2014 19:30

Të gjithë në “Stamford Bridge” e mbajnë mend atë penallti historike të ekzekutuar nga Didier Drogba, përballë Bajernit, që i dha Chelsea titullin e vetëm kampion të Europës në vitin 2012.

Sulmuesi afrikan është një prej përgjegjësve kryesorë të atij triumfi, por ai këtë herë do të rikthehet në Londër me një qëllim të qartë: Të ndërpresë ëndrrën europiane të Chelsea.

“Chelsea është në zemrën time dhe s’kam asgjë kundër tyre, por dua të kualifikohem së bashku me ekipin tim dhe do të bëj të pamundurën për t’ia dalë mbanë. Jam i lumtur që kthehem në shtëpi, që do të shoh fytyra të njohura dhe njerëz që i dua, por për mua nuk do të jetë e vështirë të luaj në fushë”, tha Drogba përpara sfidës të së martës në Champions League.

Ndeshja e parë e luajtur në Stamboll përfundoi me rezultatin 1-1 dhe të dy ekipet duken se kanë ende shanse të mira për të kaluar më tej.

Në fjalën e tij, Drogba nuk e fshehu ëndrrën që të rikthehet sërish një ditë të përfaqësojë ngjyrat e Chelsea, pse jo si drejtues brenda klubit. “Nuk e di ende se çfarë do të bëj kur të lë futbollin pasi nuk mendoj ende për këtë, por nëse do të më ofrohej një mundësi për të punuar për Chelsea do të isha shumë i lumtur”, shtoi 35-vjeçari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA