Ditën e dielë, në orën 21:00, të gjithë sportdashësit kudo në botë do të përqendrojnë vëmendjen e tyre përpara një superndeshje, klasikes së shumëpritur të futbollit spanjoll midis Realit të Madridit dhe Barcelonës.
Në “Santiago Bernabeu”, këtë herë nuk do të luajnë vetëm dy superfuqi të futbollit të sotëm dhe dy rivalë të betuar historikë, por edhe dy skuadra në luftë për titullin që mund të përcaktohet shumë prej këtij takimi.
“Gjithmonë kam menduar që Barcelona është një skuadër shumë e fortë. Të gjithë në botë kështu mendojnë. Mund të kenë pasur ndonjë problem, por gjithsesi kanë bërë ndeshje të mëdha dhe kanë fituar. Ndeshja e së dielës do të jetë shumë e barabartë”, deklaroi në prag të këtij takimi Ancelotti, i cili ka luksin të mendojë për klasiken edhe pse në mesjavë luan ndaj Schalkes së mundur 6-1 në transfertë në Champions League.
Italiani u pyet edhe për forcën e skuadrës së tij dhe shanset e Realit në Champions. “Është e rëndësishme të zhvillojmë një ndeshje të mirë ndaj Schalkes dhe të respektojmë këtë kompeticion. Në çerekfinale do të jenë skuadrat më të forta të botës dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por nëse i marrim gjërat një nga një dhe punojmë me besim e vazhdimësi, kemi një shans për t’ia dalë mbanë”.
Top Channel