Nga fitorja në fitore

16/03/2014 00:00

Leonard BODURI – Shembja e kompleksit “Jon” në Vlorë ishte shou më i madh dhe një nga “arritjet” më domethënëse të megastrukturës qeverisëse INUK. Argumenti më i promovuar për të justifikuar shpërdorimin e 300 kilogramëve tritol për të hedhur në erë kompleksin e shumëpërfolur qëndronte në faktin se në goditjen e “paligjshmërisë” nuk po kursehej as pjesa e aksioneve që sipas letrave i takonte vjehrrit të z. Basha, kryetarit të partisë më të madhe opozitare.

“Kompromisi zero me paligjshmërinë” ishte slogani udhëheqës i INUK-ut në ekzekutimin selektiv dhe pa gjyq të vendimeve mbi fatin e pronave me dhe pa leje të qytetarëve shqiptarë. Pse ta fsheh, natyrisht më ka pëlqyer ideja Rilindëse që paligjshmëria e kryer dhe e provuar në territorin e republikës jo vetëm nga vjehrri i Bashës, por qoftë edhe nga vjehrri i Obamës do të goditej me të gjithë forcën e parashikuar të ligjit. Ne nuk jemi shquar ndonjëherë për barazi në ushtrimin e ligjshmërisë, prandaj një nismë e tillë duhet të ketë mbështetës të shumtë. Në këtë frymë “bashkëpunimi dhe mirëkuptimi” për barazinë e ligjit mbi të gjithë qytetarët, sipas Rilindjes, “arsyet e koordinuara” të hedhjes në erë të kompleksit në fjalë janë të hapura, me zgjedhje dhe të gjitha të sakta sipas situatës: i) ndërtimi pengon planet urbanistike të qytetit (akoma një plan-ide), ii) ka shkelje në lejen e dhënë (e paprovuar në gjykatë), iii) ka zënë hapësirë deti (arsye romantike), iv) ndërkohë është bërë edhe një padi në gjykatë për shkak se është vërtetuar se në vërtetimin e shitjes së trojeve janë gjetur edhe firma të vendosura në emër të disa personave të vdekur (gjykata nuk është shprehur për vërtetësinë e pretendimeve). Kjo formë moderne inkuizicioni qeveritar është e tipit: “në mos njëra, tjetra Melkën do të ma marrë”. Kur Gjykata Administrative e Vlorës vendosi në favor të banorëve të ndërtesës dhe pronarëve të truallit, qeveria nxori “asin nën mëngë”, duke argumentuar se shembja do të kryhej për t’i hapur rrugë një projekt-ideje në infrastrukturë akoma e paformësuar në “neuronet e Rilindjes”, si dhe siguronte se banorët dhe pronarët e tokës do të dëmshpërbleheshin. Kjo zbythje e detyruar e rilindësve është proklamuar si një “fitore e madhe”, e shoqëruar me një faturë të majme rreth 4.6 milionë dollarë për taksapaguesit shqiptarë, në këto “kohë të lumtura” për financat e vendit. Në gjithë këtë maskaradë të udhëhequr nga emocionet dhe sulmet politike konstatojmë se në planin afatgjatë vjehrrit të Bashës së bashku me aksionerët e tjerë të kompleksit nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Madje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ata e kanë të fituar çështjen në Strasburg dhe para shtesë të taksapaguesve do të mbulojnë kostot e lajthitjeve të ekzekutivit. Rilindësit nuk prisnin dot që gjykatat të shpreheshin për çështjen dhe të provonin paligjshmërinë e pretenduar. Ngutja e tyre e verbër për të luftuar “paligjshmërinë” me paligjshmëri tregon se metoda e “ekzekutimeve pa gjyq” është kthyer përsëri në modë. Kështu mund të mirëkuptojmë insistimin e guximshëm të z. Meta për rivlerësimin historik të figurës heroike të diktatorit “të dashur”.

Shuplaka e dytë dhe qëndrimi amerikan

Gjykata Kushtetuese në një hark kohor të shkurtër i dha ekzekutivit shuplakën e dytë, duke hedhur poshtë vendimin e qeverisë për të rritur kompetencat e INUK, i cili uzurponte të drejtat e pushtetit vendor që jep leje ndërtimi, si dhe kompetencat e institucioneve të tjera si ALUIZNI dhe hipotekat, që kanë pajisur qytetarët me të drejta pronësie. Gjykata ka konsideruar si antikushtetuese dhe rrjedhimisht të paligjshme veprimet e INUK-ut të përcaktuara në këtë VKM, duke prishur ndërtimet me leje apo të legalizuara dhe duke hequr të drejtën e pronësisë për këto ndërtime, kompetencë të cilën e kanë vetëm gjykatat. Vendimi bëhet publik në një kohë kur Departamenti Amerikan i Shtetit për të drejtat e njeriut shprehet se gjatë vitit 2013 qeveria ka sekuestruar apo tentuar të konfiskojë pronën pa një proces të rregullt gjyqësor, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit Urban (INUK) të mbështetur nga Policia e Shtetit. Shtetet e Bashkuara në raportin e publikuar në fund të muajit shkurt për Shqipërinë, theksojnë faktin e shkeljes së të drejtave të njeriut në vendin tonë gjatë vitit 2013. Shpeshherë i kemi akuzuar miqtë amerikanë për gjuhën tejet diplomatike dhe të paqartë, por këtë herë i kanë rënë drejt dhe në shenjë. Menjëherë, si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit amerikan ka dalë në treg libri “historik” i Karlo Bolinos, një italian që shkruan bukur në shqip, i cili hedh dritë mbi krizën e armëve kimike dhe tejkalimin e rrezikut të “imperializmit” amerikan në vend.

INUK del nga kontrolli

INUK-u ka marrë zemër dhe ka ngritur krye, pasi jo vetëm që nuk i është dridhur qerpiku nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për paligjshmërinë e kompetencave të tij, por ka kaluar në pozicion revanshist në ushtrimin e aktivitetit të tij, duke dalë së fundi edhe “kundër” qeverisë. Absurde, por e vërtetë! INUK-u para disa ditësh ka pezulluar punimet në bulevardin e ri të kryeqytetit, pasi ka marrë në konsideratë ankesat e qytetarëve në lidhje me çmimin e shpronësimit, të cilat janë në kompetencë të vetë qeverisë. INUK-u nuk është dakord me vendimin unanim të Këshillit Bashkiak për masën e shpronësimit për pronarët, prandaj me anë të një akti administrativ ka pezulluar punimet. Shqetësimi për qytetarët, e “ka detyruar” INUK-un të përdorë format ekstreme të vendimmarrjes administrative për të ushtruar “presion” kundër qeverisë, e cila ka të gjithë atributin ligjor për të ndryshuar çmimin e tokës. Qëllimi final për të vonuar me çdo kusht realizimin e projektit të bulevardit para zgjedhjeve të ardhshme vendore, nuk është “fare” i dukshëm, por kemi të bëjmë thjesht me një akuzë “të paqenë” dhe me spekulimet e zakonshme të opozitës. Akti administrativ nënkupton pezullimin e punimeve për 60 ditë, kohë e mjaftueshme për të zvarritur punimet në bulevard. Megastruktura qeveritare INUK është dizenjuar për të “shkruar historinë” e Rilindjes, prandaj nuk mund të kufizohet nga ligjet e miratuara në Parlament, nga aktet nënligjore apo nga vendimi i ndonjë këshilli bashkiak. Veprimtaria e tij është gati e “shenjtë” dhe natyrisht qëndron mbi Kushtetutën, mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe madje edhe mbi qeverinë. Në këto kushte, do të ishte më e përshtatshme që INUK-ut t’i jepen kompetencat e një institucioni autonom me kompetenca monarkike, që të mos i japë llogari askujt.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel